Lajme

Bislimi pajtohet me Lajçak-un se zbatimi i Asociacionit dhe pikave të tjera është urgjencë


Fotografi nga takimi Lajcak Bislimi

Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçak janë pajtuar se zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe pikave të tjera të Marrëveshjes së Rrugës Drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë arritur në Bruksel dhe e përforcuar me Aneks në Ohër është urgjencë.

Zëvendësi i parë i kryeministrit Albin Kurti dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun u takuan në Zvicër, para fillimit të punimeve në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

“Para Davos-it, u takova me Zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, për të diskutuar një numër të madh temash për Dialogun dhe pritjet në avancimin e normalizimit të raporteve me Serbinë në periudhën që po vjen”, shkroi në platoformën “X”, Lajçak.

Për të përfunduar me fjalinë kryesore se “u pajtuam që zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes në Rrugën Drejt Normalizimit është urgjent”.

Lajçak takim do të ketë edhe me vetë Kurtin, i cili tashmë ka udhëtuar drejt Davos-it.

Gjithashtu do të takohet me palën tjetër, saktësisht me Aleksandër Vuçiç-in, presidentin serb, po ashtu për të diskutuar drejt zbatimit të pikave të Marrëveshjes.

Derisa disa nga këto pika, siç është ajo për targat dhe energjinë elektrike veçse janë zbatuar.

Në anën tjetër, jo kaq të qarta janë gjërat në Kosovë.

As Bislimi, por as Kurti nuk thonë se implementimi i Asociacionit dhe pikave të tjera të marrëveshjes janë urgjencë.

Madje, vënë dyshime në vetë marrëveshjen e arritur në Bruksel e Ohër, duke potencuar faktin se ajo mund të mos jetë e vlefshme, meqë është pajtim pa nënshkrim.

Prejse ka filluar dialogu në Bruksel nën udhëheqjen e Kurtit e Bislimit, është trajtuar me këto dy paralele ku tjetër flitet në takimet me liderët perëndimorë dhe tjetër me publikun në Kosovë.

Gjithsesi, fillimi i zbatimit të pikave dhe fakti se është pranuar një draft-statut për Asociacionin, i ka bërë gjërat më të qarta.

Tashmë, edhe nga vetë pushteti në Kosovë, pranohet se Asociacioni është i pashmangshëm. Por, tani thuhet se këta janë përkujdesur që t’u ikin pikave problematike që Asociacioni prezantonte në të kaluarën.

Edhe ky, një konstatim i mjegullt, meqë nëse merret Marrëveshja e vitit 2013, aty ku lind Asociacioni dhe krahasohet me draftin e statutit të prezantuar rishtasi në vitin që shkoi, shihet se marrëveshja e para 10 vjet është e inkorporuar krejtësisht në draft.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore