Kosova

Bislimi, Lajçakut: Ura duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme


Ilustrim: Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, të premten ka takuar të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak – takim ky i cili zgjati rreth dy orë.

Nëpërmjet një komunikate për media, Bislimi citohet të ketë thënë gjatë takimit se ura kryesore mbi lumin Ibër duhet të hapet “pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”, meqë kjo çështje është dakorduar në dialog që moti.

“Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”.

Bilsimi ndër të tjera ka potencuar se Qeveria e Kosovës është e angazhuar “si palë konstruktive në dialog”.

“Si e tillë ajo mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”.

I pari i cili foli pas takimit me Bislimin ishte diplomati sllovak.

Lajçak, tha se vizita e tij në Kosovë dhe takimi me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, kishe për qëllim “përgatitjen e një takimi të nivelit të kryenegociatorëve, i cili do të mbahet në ditët e ardhshme”.

“Ne diskutuam në detaje agjendën e këtij takimi dhe çështjet të cilat duhen diskutuar”, tha ai në një konferencë të shkurtër për media, të premten.

Edhe hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve, sipas diplomatit sllovak, ka qenë njëra ndër çështjet e diskutuara me Bislimin.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian është i mirënjohur, por duhet ta përsëris: Ura duhet të hapet, por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, shtoi ai.

Lajçak ndër të tjera njoftoi se me Bislimin janë pajtuar “për diçka”, por pa dhënë detaje të tjera.

Diplomati sllovak ka thënë se ajo për të cilën janë pajtuar nuk mund të thuhet pa u koordinuar me të tjerët.

Lajçak: Me Bislimin diskutova edhe për çështjen e Urës, së shpejti takimi në nivel kryenegociatorësh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore