Kosova

Bislimi: Kosova pranoi ftesën e BE-së për takim trelateral, Serbia është ajo që e mohoi


Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, ka konfirmuar se Kosova e ka pranuar ftesën e dërguar nga Bashkimi Evropian për një takim trelateral në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë – takim ky i cili është paraparë të mbahet më 17 shtator.

“Për takimin e radhës të procesit të dialogut në Bruksel më 17 shtator, Kosova ka pranuar takimin trilateral sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësuesi”, shkroi ai fillimisht.

Disa media në Serbi, si agjencia e lajmeve serbe, Tanjug e Radio Televizioni i Serbisë, RTS, pretenduan të premten se Kosova ka refuzuar të ketë një takim trelateral në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimit, kryenegociatorit të palës serbe, Petar Petkoviç-it e ndërmjetësuesit të bisedimeve, Miroslav Lajçak-ut.

Megjithatë një gjë të tillë e ka mohuar në mënyrë kategorike Bislimi, duke potencuar se Serbia është ajo që refuzoi një takim të tillë “duke u përpjekur të imponojë pika e rendit të ditës të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”.

“Ftoj Lajçak-un të mohojë dezinformimin e qëllimshëm të mediave serbe, ku thuhet në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”, shtoi ai.

Mediat serbe: Dialogu në nivel të kryenegociatorëve mbahet të martën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore