Lajme

Bislimi gënjen përsëri – thotë se Elektroserver është kompani private


Foto: Albanian Post

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të mërkurën ka gënjyer sa i përket marrëveshjes komerciale në mes të kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe kompanisë serbe “Drustvo Elektrosever D.O.O”, derisa po fliste për kritikat se pse e njëjta nuk është bërë publike.

Bislimi, në një intervistë për televizionin publik, në tentativë për të ta arsyetuar mospublikimin e marrëveshjes, tha se kontrata është “në mes të dy entiteteve private”, dhe se i takon atyre të vendosin se a bëjnë publike apo jo, duke tentuar që ta shmangë kështu përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.

“Është kontratë biznesore mes dy entiteteve legale private, nuk është kontratë e shtetit. Për atë arsye nuk mund të pyetet se pse bizneset nuk i bëjnë publike”.

Mirëpo, kjo që ka thënë Bislimi është e pavërtetë.

Kompania serbe që ka nënshkruar marrëveshjen me KEDS-in, pra “Drustvo Elektrosever D.O.O”, është kompani shtetërore e Serbisë.

Pronare e vetme e kësaj kompanie, që është licencuar nga Kosova, është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije”, shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Për nënshkrimin marrëveshjes për energjinë në mes të KEDS-it dhe Elektroserverit do të njoftonte fillimisht i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, më 9 dhjetor.

“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ky është hap i rëndësishëm në implementimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, kishte shkruar ai në platformën X.

Diplomati sllovak nuk kishte dhënë asnjë detaj shtesë ku dhe kur është nënshkruar kontrata në fjalë.

Sa i përket gënjeshtrave të Bislimit, kjo që e ka bërë të mërkurën, i shtohet listës së gjatë që ai si zëvendëskryeministër, numri 2 i qeverisë, i ka bërë.

Ju kujtohet marsi i vitit 2022 kur Bislimi takoi zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Borge.

Takimi në fjalë ishte në suazat e një takimi të rëndomtë në qendrën e KiE-së në Strasburg të Francës, deri kur u kuptua se Bislimi, njëherit kryenegociatori i palës kosovare në dialog me Serbinë, kishte lëshuar një rrenë.

Bislimi kishte shkruar në rrjetin social se “gjatë qëndrimit në Strasburg, Berger mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës”.

Kështu do të mbetej sikur Berge të mos ri-shpërndante twitt-in e Bislimit, me një përshkrim mbi të.

“Fatkeqësisht ky nuk është përshkrim korrekt i asaj çfarë kam deklaruar në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për në Këshill të Evropës”, pati shkruar.

Përgënjeshtrimi i Berger u bë viral, jo vetëm për keqinformimin që kishte ndodhur, por edhe për faktin se nga kush vinte.

Bislimi –  pos shtetar është edhe profesor – kishte kërkuar falje, pas përgënjeshtrimit, duke u sqaruar se ka përdorur një term gabim.

“Kërkojë falje sinqerisht për përzgjedhjen e një termi jo adekuat për cicërimën time të fundit”, shkruante Bislimi po në Twitter, tash X.

“Në vend të ‘ai mirëpriti’ përshkrimi i saktë do të ishte ‘ne e informuam’”, kishte shkruar njeriu i dytë në Qeverinë e Kosovës.

Berge e kishte falënderuar menjëherë Bislimin “për këtë sqarim shumë të rëndësishëm”.

Megjithatë ky nuk është rasti i vetëm kur Bislimi kishte gënjyer publikisht.

Ai në një intervistë të dhënë për mediumin opozitar serb, Danas, kishte thënë se Kosova në procesin e dialogut kishte hequr dorë nga kërkesa për njohjen formale të Serbisë duke e cilësuar një akt të tillë si “lëshim i madh nga ana e Kosovës”.

Intervista, përveç se ishte publikuar në mediumin në fjalë, ishte shpërndarë në gjuhën shqipe edhe në profilin zyrtar të Bislimit në Facebook.

Gjithçka ishte në rrjedhat e normales, deri në momentin kur Bislimi në një konferencë për media përgënjeshtroi vetën duke gënjyer publikisht për të dytën herë me radhë.

Bislimi tha se mediat, të cilat i cilësoi si të paguara nga Serbia, po i “shtrembërojnë deklaratat” e tij meqë në intervistë nuk është përdorur fjala “lëshim”, por “koncesion”.

“Fjala lëshim është nga mediat kosovare që kanë financim nga Serbia, ky është koncension që ka bërë Kosova ndaj Bashkimit Evropian, por jo Serbisë”, tha Bislimi.

Mediat nuk e kishin shpikur fjalën “lëshim”, por vetëm e kishin cituar deklaratën e Bislimit.

Megjithatë për Bislimin, një gjë e tillë ishte e pavërtetë.

E për të mbuluar gënjeshtrën e tij me një gënjeshtër tjetër, Bislimi, përdori të mirat e teknologjisë informative, duke u bërë viktimë e po të njëjtës.

Ai redaktoi fjalën nga “lëshim” në “koncesion”, pa qenë në dijeni se çdo ndryshim i bërë në histori të postimit të tij arkivohet.

Ndryshe nga situata me Bergen, Bislimi, kësaj radhe nuk kërko falje, përveç se akuzoi mediat për bashkëpunim me Serbinë.

Pse gënjen kaq shpesh Besnik Bislimi?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore