Kosova

Bislimi e kritikon ashpër Kosovën (shtetin e vet) para ministrit evropian


Besnik Bislimi

Në një situatë krejt surreale dhe të pabesueshme është shfaqur këtë të mërkurë zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili në konferencë të përbashkët me ministrin e Republikës së Çekisë për Çështje Evropiane, Martin Dvorak, kritikoi ashpër shtetin e vet, Kosovën, për sistem të korruptuar të drejtësisë.

Deklarimet e pabesueshme të Bislimit me plotë kritika për Kosovën, para zyrtarit të një shteti nga Bashkimi Evropian, erdhën pasi u pyet nga një gazetare për kritikat e mëdha që i ka marrë kohëve të fundit nga ndërkombëtarët për ndërhyrje në drejtësi.

Bislimi konstatoi para diplomatit çek që Kosova s’ka gjyqësor të pavarur, që vendimet e gjyqtarëve në Kosovë janë të ndikuara dhe se praktikisht nuk funksionon sistemi i drejtësisë, prandaj ai edhe kritikon publikisht.

“Është shumë e qartë se Gjykatat janë të pavarura nga Qeveria, por pyetja është a janë të pavarura?”, tha fillimisht Bislimi duke aluduar se nuk janë dhe vazhdoi duke u përgjigjur se “jo”, nuk janë pra.

“Në qoftë se jo, pyetja që duhet të shtroni është nga kush janë të varura gjykatat e Kosovës? Kush ndikon në vendimet që marrin gjykatat tona?”, vazhdoi Bislimi duke dëshmuar para diplomatit evropian se Kosova s’ka sistem të pavarur të drejtësisë.

Kështu e arsyetoi vetën, përse publikisht po kritikon vendime që dalin nga gjykatat e Kosovës.

“Në qoftë se unë kritikoj një vendim, unë e kritikoj bash se nuk është i pavarur ai vendim. Sepse do të doja që gjykatësi të vendos në bazë të elementeve, pa ndërhyrje nga jashtë”, shtangu Bislimi.

Më pas ai vazhdoi në një deklarim edhe më skandaloz, duke thënë se po të donte do të kishte një rrugë tjetër që të ndikojë edhe vetë në vendime të gjyqtarëve, por nuk e bën.

“Sa u përket brengave për ndërhyrje në drejtësi, unë i kam dy mundësi, ose flas me gjykatësit nëpër mekanizma paralele për ndikimin e tyre dhe atëherë s’kam nevojë të deklarohem publikisht, sepse e kam arritur qëllimin, kam ndërhy në drejtësi dhe kam orientuar vendimin, ose në pamundësi të ndërhyrjes deklarohem publikisht për brengat që kam. Kjo tregon që unë kam pakënaqësi dhe nuk e kam zgjedhur mënyrën e ndërhyrjes. Por, jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi është rezultat i mos ndërhyrjes”, pohoi Bislimi.

Nuk u ndal as më kaq. Ai prodhoi edhe një tjetër paradoks kur tha se kritikat ndaj zyrtarëve të BE-së nuk janë kritika për BE-në.

“Për aq kohë sa ne mendojmë se në proces nuk ka shkuar diçka në rregull, ne do të shprehemi publikisht. Kur kemi kritika ndaj Miroslav Lajçak-ut (i deleguari i BE-së për dialogun), kjo nuk është kritikë ndaj BE-së, por është kritikë ndaj procesit në të cilin ne jemi palë dhe BE është palë. Ne mbrojmë interesat e Kosovës, nuk jemi agjentë të BE-së”, tha, dhe vazhdoi ta kritikojë sërish Lajçak-un.

“Ju keni konstatime në media të Miroslav Lajçak-ut që thotë se BE-ja kurrë nuk do ta shkruajë draftin, se është çështje e Kosovës. Ju duhet ta pyesni atë përse nuk i ka qëndruar besnik konstatimit të vet”.

Fatmirësisht, më nuk u lejuan pyetje nga gazetarët dhe kështu Bislimit iu pamundësua të vazhdonte me kritika për shtetin e Kosovës, para përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, organizatë që Kosova supozohet së dëshiron të inkuadrohet dhe një nga kushtet më të rëndësishme që ka kjo organizatë është funksionimi demokratik dhe pa ndërhyrje i drejtësisë në shtetet që duan të anëtarësohen në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore