Kosova

Bislimi demanton Gërvallën, thotë se shtyrjen e vendimit të Qeverisë për targat e kërkoi Borrell


Fotografia nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës, nga e majta Besnik Bislimi, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe njëherit kryenegociatori i palës kosovare në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka kërkuar shtyrjen e implementimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe kartat e identitetit në mëngjesin e ditës së diel, pak orë para fillimit të hyrjes në fuqi të këtyre masave, nëpërmjet një letre.

Sipas Bislimit letra e Borrellit drejtuar institucioneve të Kosovës nuk ka qenë qëllim mirë dhe se brengat e BE-së kanë qenë artificiale, pasi sipas tij Borrell në argumentimin e tij se pse Kosova duhet të shtyjë implementimin e vendimeve në fjalë, ka nënvizuar sipas tij faktin se fushata informuese për qytetarët serbë të Kosovës lidhur me këto masa nuk ka qenë e mjaftueshme.

“Me 31 korrik na ka ardhur një kërkesë nga Brukseli, ku Borrell ka kërkuar që masa të shtyhet, që personalisht mendoj që nuk ka qenë fortë kërkesë qëllim mirë, nuk ka qenë e argumentueshme. Ka qenë brenga se do të ketë tensione, dhe që ka shumë dezinformim në Veri dhe se ka nevoje edhe për një fushatë më të gjatë të argumentimit. Edhe pse aty shprehet që shtyrja jo domosdoshmërisht do të ndihmojë në shmangien e këtij argumenti të mos informimit.

Për Bislimin, vizita e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në presidencë në orët kritike në Veri ka qenë pikërisht se Borrell nuk është ndarë i kënaqur me përgjigjen zyrtare të Qeverisë së Kosovës në raport me kërkesën e tij për shtyerjen e masave.

“Mirëpo siç duket Borrell nuk ka qenë i kënaqur me këtë përgjigje dhe pastaj kemi pasur vizitë nga Hovenier, që unë mendoj që ka qenë vizitë shume qëllim mirë dhe ka dashur që ta zbehë ketë angazhimin jo parimor të Bashkimit Evropian. Aty është thanë që në asnjë rast,  bashkësia ndërkombëtarë nuk kërkon rishikimin e masave”, ka shpjeguar Bislimi në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës “RTK”.

Ambasadori Hovenier: Qeveria e SHBA-ve ka një kërkesë për Kosovën – Shtyjeni implementimin e vendimeve për një muaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore