Shqipëria

‘Bindju ligjit’ – Rama me letër të hapur për çështjen Beleri


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për të parën herë ka publikuar një letër të hapur sa i takon çështjes së kryebashkiakut të arrestuar të Himarës, Fredi Beleri, lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme SPAK, sa i takon shitblerjes së votave.

Në këtë letër, duket qartazi shqetësimi i kryeministrit shqiptar, i cili e nis të gjithën nga kërkesat e vazhdueshme të politikanë grekë, për lirimin e Belerit, duke përfshirë edhe raste të fundit, si ai i Margaritis Schinas, zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, i cili i është drejtuar strukturave të larta të BE-së me një letër për ndërhyrje në çështjen Beleri.

Rama, duke e quajtur Schinas një mik të mirë të shqiptarëve, e përmend atë për letrën dërguar zyrtarëve evropianë, edhe si të lidhur me një protestë të djeshme në Himarë, të zhvilluar nga mbështetës të Belerit, ku nuk munguan figura të politikës greke.

Tematika e pretenduar e protestës ishte ajo e “respektimit të përgjithshëm për të drejtat themelore”, ashtu edhe si ajo e pronave të minoritetit grek në zonën e Himarës.

“Ç’është e vërteta kjo bindje e miqve grekë nuk bazohet në as edhe një fakt konkret, që do të mund të provonte se në Shqipëri ka vërtetë një problem specifik të drejtash apo pronash për minoritetin grek, i cili ndryshon nga problemi tërësor i trashëguar i Shqipërisë me pronat e gjithë qytetarëve shqiptarë, çka edhe e kemi trajtuar e do ta trajtojmë vijimësisht me respekt, me durim dhe me gjuhën e fakteve me Athinën zyrtare”, parashtron Rama gjithsesi.

Flagrant ndërkaq, e quan faktin që politikanë grekë, të zgjedhur me vota nga një vend demokratik, vijnë në protestë në një tjetër shtet demokratik, kundër autoriteteve të shtetit sovran.

Dhe ndër të tjera, po këto figura, shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse, duke e absolutizuar përkatësinë etnike mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike.

“Kjo është një nga ato situata tipike, kur shprehja “Jam pa fjalë!” është e para që të vjen në mend dhe do të doje të ndaleshe me aq”, shkruan Rama i përçudnuar. “Por kjo është edhe një nga ato situata tipike, kur në Ballkan merr jetë ajo shprehja “Digjet jorgani për një plesht!” prandaj edhe duhet bërë çmos, që ky të mos jetë kurrsesi rasti”.

“Lironi Belerinë dhe pikë!”.

Kjo thirrje është përmendur nga figurat e politikës greke.

Por, kush dhe si mundet ta lirojë sot nga burgu, sipas kreut të Qeverisë, një qytetar shqiptar me kombësi greke, i cili si kandidat për kryetar bashkie, akuzohet se ka kryer krimin e blerjes së votave dhe kur sipas vendimeve të gjykatave në të tre shkallët, nuk mundet ta lërë paraburgimin?

Është kjo pyetja e Ramës, duke vijuar më tej: Vallë kombësia greke i jep qytetarit shqiptar të akuzuar nga SPAK-u dhe mbajtur në paraburgim nga gjykatat e vendit, një status të ndryshëm nga 48 qytetarë të tjerë shqiptarë me kombësi shqiptare, ndër të cilët edhe disa kryebashkiakë të partisë time, që sot janë të paraburgosur nën akuzat e të njëjtit organ, me vendime identike të të njëjtave gjykata?!

Ai shton se nuk e fshehur mendimin dhe ndjenjat pozitive e miqësore me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Tek ai kam parë qysh në fillim një lider evropian dhe kam gjetur në vazhdimësi një njeri të admirueshëm”, shkruan. “Nuk kam ndërmend t’i fsheh mendimin e ndjenjat e mia as sot, kur kolegut të nderuar e mikut tim të dashur Kyriakos, do t’i duhet të lexojë opinionin tim të mirëformuar dhe të mirëinformuar, i cili nuk përkon me opinionin e miqve protestues”.

Për të megjithatë, ky politizim i një çështjeje të drejtësisë shqiptare, deri në pikën që të organizohet një protestë këtu në Shqipëri nga autoritete të zgjedhura në Greqi, ndër të cilët as më shumë e as më pak, po edhe kryebashkiakët e dy qyteteve më të mëdha të Greqisë, mund t’i shkonte skenarit të një filmi sarkastik për marrëdhëniet ndërshtetërore në një Ballkan të denjë për stereotipin e vet të vjetër të përplasjeve irracionale, po jo realitetit demokratik të fqinjësisë europiane, mes një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi që aktualisht negocion anëtarësimin në BE.

“Unë nuk kam ndërmend ta fsheh në këto radhë as kënaqësinë për progresin e jashtëzakonshëm, që së bashku me kryeministrin grek kemi bërë në vitet e fundit, për t’i shkrirë me frymë evropiane akujt ballkanikë që ishin krijuar ndër vite në marrëdhëniet shqiptaro – greke, duke e parë njëri – tjetrin në sy dhe duke i adresuar me mendje të hapur e vullnet të mirë ngërçet e vjetra”, argumenton kryeministri, duke mos e fshehur edhe një keqardhje të madhe përballë asaj që e quan “një shfaqje surreale të palës greke, për një çështje të drejtësisë shqiptare”.

Ai po ashtu, tregon edhe një shqetësim shumë të madh.

Kjo, sepse ky hap i hedhur “si këmba e elefantit në një dyqan qelqurinash, mund të sjellë pasojën regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit”.

Justifikim, për një sjellje të tillë, nuk mundet të ketë, e as kuptim se si “ky hall i çuditshëm” i fqinjëve dhe miqve grekë mund të zgjidhet, përveçse duke e lënë drejtësinë të kryejë punën e saj e patrazuar.

Mesazhin gjithsesi, ashtu si dyert e Shqipërisë (sot turistike me vizitorë nga gjithë Evropa e bota), i lë të hapura për fqinjët grekë, qoftë edhe për të protestuar.

Kjo, sepse Shqipëria e sotme, në sytë e kryeministrit, është një vend evropian, me një legjislacion shembullor dhe me një Qeveri, e cila si kurrë më parë vendimet e drejtësisë, nuk i komenton politikisht dhe nuk ndërhyn në to.

Ndaj, ftesa për gjithë popullin grek, është ajo që të vizitojnë Shqipërinë kur të dëshirojnë dhe të ndihen këtu si në shtëpinë e tyre.

“Po edhe sepse shqiptarët e grekët janë qysh në lindje të kohërave dy popuj miq, që gjeografia i ka bërë gjitonë dhe historia i ka bashkuar për punët e për hallet e përbashkëta, shumë më tepër se sa i kanë ndarë politikanët për epshet e tyre për pushtet e për dallditë e tyre nacionaliste përgjatë rrugës gjarpëruese të historisë, në këtë rajon ku është prodhuar gjithnjë më shumë histori sesa kapacitete për ta tretur atë”, thekson Rama.

Në mbyllje, duke theksuar se grekët janë “vëllezërit dhe motrat tona”, qoftë për nga gjeografia që na ka vendosur pranë, apo gatishmëri për të mirëpritur njëri-tjetrin, Rama e mbyll me një thënie nga një film i Giuseppe Tornatore: Mia fatsa, mia razza (një fytyrë, një racë).

Νόμῳ πείθου – Bindju ligjit*

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore