Kosova

Bildt uron Kosovën dhe Serbinë për Marrëveshjen, por thotë se ka ende paqartësi


Carl Bildt

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka uruar Kosovën dhe Serbinë për marrëveshjen e arritur të shtunën në Ohër, por edhe emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun dhe shefin e diplomacisë evropiane.

Bildt, që kishte shërbyer ndër të tjera edhe si i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Ballkanin nga viti 1999 deri më 2001, ka thënë se kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm për të ardhmet e dy vendeve.

“Urime Miroslav Lajçak-ut dhe Josep Borrell-it për arritje të kësaj marrëveshje, pas viteve diplomaci të durueshme. Koordinimi me SHBA-në po ashtu ka qenë i rëndësishëm. Por, më kryesore urime Kosovës dhe Serbisë për një hap të rëndësishëm drejt të ardhmeve të tyre”, ka shkruar Bild.

Bildt ka thënë se implementimi i marrëveshjes kërkon një monitorim shumë të ngushtë dhe menaxhim në vitet në vijim sepse sipas tij, ka ende paqartësi që kërkojnë vigjilencë. Gjithashtu, ai tha se duhet të nxjerren mësime nga marrëveshja e vitit 2013.

“Dhe marrëveshja varet në mënyrë kritike nga procesi i anëtarësimit për rajonin [në BE] duke ecur përpara dhe duke ruajtur besueshmërinë e tij si në rajon ashtu edhe në të gjitha shtetet anëtare. Asnjëra nuk duhet të merret si një e dhënë”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas rreth 12 orë diskutime, të shtunën në Ohër janë pajtuar për zbatimin e planit të Marrëveshjes për normalimizimin e marrëdhënieve së dakorëdusar më 27 shkurt në Bruksel.

Bashkimi Evropian ka publikuar përmbajtjen e Aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky aneks përbën një pjesë integrale të marrëveshjes.

Teksti i plotë:

Kjo shtojcë është pjesë integrale e Marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të implementojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i Implementimit do të bëhet pjesë kyçe e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE. Palët marrin shënim se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, lehtësuesja, BE-ja do të nisë procesin për të amandamentuar Kapitullin 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim po ashtu do të reflektojë obligimet e reja të Kosovës që burojnë nga Marrëveshja dhe Aneksi.

Palët bien dakord që të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Për ta implementuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese.

Palët bien dakord që brenda 30 ditësh të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorimi, të kryesuar nga BE-ja. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët Monitorues.

Për ta implementuar nenin 9, BE-ja do të organizojë konferencë të donatorëve brenda 150 ditësh për të krijuar një paketë të investimeve dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë implementuar plotësisht.

Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra.

Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi është pa paragjykim ndaj rendit të implementimit të tyre.

Kosova dhe Serbia pajtohen të mos e bllokojnë implementimin e asnjërit nen.

Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kosova dhe Serbia pajtohen se çdo mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut, mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore