Lajme

Biden nuk e mbështet njohjen e Rusisë si ‘shtet terrorist’


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, deklaroi të hënën se ai nuk e mbështet njohjen e Rusisë si një shtet sponsorizues i terrorizmit.

Lajmi është raportuar nga agjencia “Reuters”.

I pyetur nëse Rusia duhet të njihet si një sponsor shtetëror i terrorizmit, Biden u tha shkurtimisht gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë: “Jo”.

Në fund të korrikut, Senati Amerikan miratoi njëzëri një rezolutë që i bën thirrje Sekretarit të Shtetit Anthony Blinken që të shpallë Rusinë një sponsor shtetëror të terrorizmit për veprimet e saj në Çeçeni, Gjeorgji, Siri dhe Ukrainë.

Pas miratimit në Senat, një projekt-ligj i ngjashëm u dorëzua në Dhomën e Përfaqësuesve nga një grup kongresmenësh nga partitë Demokratike dhe Republikane.

Departamenti Amerikan i Shtetit është përgjegjës për përcaktimin e vendeve si shtete sponsorizuese të terrorizmit.

Megjithatë, pavarësisht presionit të Kongresit dhe apeleve të Ukrainës, Departamenti i Shtetit ende nuk e ka ndërmarrë këtë hap.

Rusia ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara me ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike nëse njihet si shtet terrorist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore