Lajme

Biden ndalon një sërë investimesh të teknologjisë së lartë amerikane në Kinë


Joe Biden ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që do të ndalojë disa investime të SHBA-ve në teknologji në Kinë dhe do të kërkojë njoftimin e qeverisë për financimin në sektorë të tjerë të teknologjisë.

Urdhri autorizon sekretarin e Thesarit të SHBA-ve të ndalojë ose kufizojë disa investime amerikane në njësitë ekonomike kineze.

Ndalimet fokusohen në tre sektorë: gjysmëpërçues dhe mikroelektronikë, teknologji kuantike të informacionit dhe sisteme të caktuara të inteligjencës artificiale.

Biden ka bërë me dije se po shpallte një emergjencë kombëtare për t’u marrë me kërcënimin e përparimit nga vende si Kina “në teknologjitë dhe produktet e ndjeshme kritike për ushtrinë, inteligjencën, mbikëqyrjen”.

Propozimi synon investimet në kompanitë kineze që zhvillojnë software për të dizajnuar çipa dhe mjete për t’i prodhuar ato.

SHBA-të, Japonia dhe Holanda dominojnë ato fusha dhe qeveria kineze ka punuar për të krijuar alternativa vendase.

Sakaq, masa mund të nxisë tensionet midis dy ekonomive më të mëdha në botë edhe pse zyrtarët amerikanë këmbëngulën se ndalimet kishin për qëllim të adresonin rreziqet “më të mprehta” të sigurisë kombëtare.

Dhe jo për të ndarë ekonomitë shumë të ndërvarura të të dy vendeve.

Urdhri në fjalë synon të parandalojë kapitalin dhe ekspertizën amerikane që të ndihmojë në zhvillimin e teknologjive që mund të mbështesin modernizimin ushtarak të Kinës dhe të minojnë sigurinë kombëtare të SHBA-ve.

Ai është i përqendruar në kapitalin privat, kapitalin e sipërmarrjes, sipërmarrjen e përbashkët dhe investimet Greenfield.

Shumica e investimeve të kapura nga urdhri do të kërkojnë që qeveria të njoftohet për to. Disa transaksione do të ndalohen.

Thesari ndërkaq parashikon përjashtimin e “transaksioneve të caktuara, duke përfshirë potencialisht ato në instrumente të tregtuara publikisht dhe transfertat brenda kompanive nga prindërit amerikanë te filialet”.

Kurse në Pekin, Ministria e Tregtisë e Kinës ka akuzuar SHBA-të për ndërprerje të industrisë globale dhe zinxhirëve të furnizimit.

Urdhri ekzekutiv “devijon seriozisht nga parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme që SHBA-të kanë promovuar gjithmonë dhe ndikon në vendimet e funksionimit normal të kompanive”, ka thënë një zëdhënës.

Sakaq, rregullatorët planifikojnë të lëshojnë një njoftim paraprak për hartimin e rregullave të propozuara për të përcaktuar më tej qëllimin e programit dhe një periudhë komentesh për të kërkuar reagime publike përpara se të bëjnë një propozim zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore