Kosova

Biden kujton sukseset historike të NATO-s, përmend ndërhyrjen e ’99-ës në Kosovë


Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, në auditoriumin Andrew W. Mellon në Uashington, duke theksuar sukseset e aleancës veriatlantike përgjatë ekzistencës 75-vjeçare dhe përfundimit të Luftës së Ftoftë, përmendi shkurtimisht edhe ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Kosovë në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar.

“Së bashku ne rindërtuam Evropën nga rrënojat e luftës, duke mbajtur lart pishtarin e lirisë gjatë dekadave të gjata të Luftës së Ftohtë. Kur kundërshtarët tanë u bënë demokraci, ne i mirëpritëm ata në aleancë”.

“Kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për të rivendosur paqen dhe për të ndaluar spastrimin etnik”, theksoi Bideni. “Kur SHBA-të u sulmuan më 11 shtator [2001], aleatët tanë të NATO-s, qëndruan me ne, duke thirrur nenin e pestë për herë të parë në historinë e NATO-s, duke e trajtuar një sulm ndaj nesh si një sulm ndaj të gjithëve”, shtoi mes tjerash presidenti amerikan.

E, ndërhyrja ushtarake në Kosovë konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të NATO-s, përkundër se përbente rastin e parë në histori që aleanca ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian. Wesley Clark, gjenerali amerikan dhe komandanti i përgjithshëm i forcave aleate, udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ).

Më 24 mars 2024 u bënë 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO-ja ndërhynë në një territor pa pasur mandat nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Ndryshe, ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërjmet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë. Megjithatë, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia, Kina e India, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë kryesore perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera.

Aleatët të riafirmojnë përkushtimin ndaj Kosovës në ditëlindjen e 75-të të NATO-s

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore