Janë betuar përpara Presidentit të Republikës, ministrat e rinj të kabinetit Rama 3.
Në një ceremoni zyrtare në mjediset e Presidencës, Ervin Hoxha, Pirro Vëngu, Petrit Malaj dhe Taulant Balla, dhanë betimin e tyre për pozitat e reja, që do të përmbushin në Qeveri.
Kështu, Ervin Hoxha merr zyrtarisht nga sot detyrën e ministrit të Brendshëm. Pirro Vëngu, merr detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Petrit Malaj merr detyrën e ministrit të Financave
Ndërsa, Taulant Balla, merr detyrën si ministër i shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Më 30 korrik, Begaj i dekretoi ministrat, pas propozimit të kryeministrit Edi Rama.
Teksa, në një seancë kaotike, ata u votëbesuan në Parlament me shumicë të thjeshtë, pasditen e 30 korrikut.
Ervin Hoxha
Ervin Hoxha ka shërbyer për mbi 20 vite në funksione të ndryshme në institucionet qendrore dhe ligjzbatuese të vendit.
Ai ka qenë më parë pjesë e dikastereve në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Hoxha ka kryer detyra të larta në nivelin drejtues si: Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës me VKM nr. 57 dhe së fundmi drejtues i IKMT-së.
Pirro Vengu
Pirro Vengu ka mbajtur poste të rëndësishme gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Ai ka qenë edhe drejtori i Antikorrupsionit në Kryeministri. Po ashtu Vengu ka mbajtur më parë edhe postin e shefit të kabinetit në ministrin e Jashtme, që dikur drejtohej nga Ditmir Bushatit.
Së fundmi, ai ka mbajtur pozitën e drejtuesit të Portit të Durrësit.
Petrit Malaj
Petrit Malaj është aktualisht drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN).
Ai u zgjodh në këtë detyrë në janar të vitit 2024.
Sipas një CV-ja te publikuar, Petrit Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Wisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetown, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë.
Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com