Sport

Bernard Challandes: Ku është problemi? Ne nuk kemi probleme


Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes ka folur për media para ndeshjes që Kosova do të zhvillojë të martën në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës “Katar 2022” përballë Gjeorgjisë.

Ai shpreson që “skuadra do t’i lë prapa gabimet përballë Suedisë, dhe t’i përmirsojmë nesër”.

Zvicerani foli edhe për gjendjen e Lirim Kastrtatit, për të cilin paralajmëroi që është mirë dhe do të jetë pjesë e skuadrës nesër.

“Kemi sulmues të mirë, sulm të mirë, shpresojmë që nesër të luajmë një ndeshje të mirë si vendas. Kemi pasur kundërshtar të vështirë, por ne gjithmonë tentojmë të luajmë në sulm, ky është stili jonë”, thotë Challandes.

Kosova tashmë nuk ka asnjë gjasë që të ëndërrojë për një kualifikim të mundshëm në Katar.,

Por, trajneri thotë që pa marrë parasysh, skuadra “duhet të luajë tre ndeshje të mira, të fokusohemi te ato”.

Dhe, pas këtyre kualifikueseve, “të përgatitemi për sezonin e ri të Nations League, është qëllimi ynë i radhës që të fitojmë aty”.

Bernard Challandes, trajneri i Kosovës

I pyetur se a ka humbur autoritetin në skuadër, Challandes e ktheu me një pyetje.

“Çfarë është autoriteti?”, pyeti ai.

“Të gjithë mund të kenë mendimin e tyre. Unë jam trajneri, unë vendosë, analistët duhet të jenë analistë, por ata jo gjithmonë i dijnë të gjitha detajet”.

“Në debate televizive nuk thuhen gjithmonë gjëra që përkojnë me realitet”., thotë ai.

Challandes mendon që Kosova nuk ka as edhe një problem.

“A kemi ne probleme? Ku është problemi? Fituam në Gjeorgji, luajtëm shumë mirë kundër Spanjës dhe Greqisë. Ku është problemi? Një humbje në Suedi, ku është problemi? Ne nuk kemi probleme, unë nuk mendoj që ka probleme, ndoshta ju si gazetarë keni probleme kundër neve, kundër ekipit. Unë marrë përgjegjësi për vendimet e mija”.

“Kemi pasur probleme”, vazhdon ai, “gjatë COVID-it, kur ka qenë e pamundur për lojtarët të udhëtojnë, kur lojtarët janë lënduar, atëherë kishte probleme. Tani? Tani nuk ka probleme”.

I pyetur mbi dorëheqjen, Challandes u përgjigj:

“Unë nuk dorëhiqem, nuk mund të flas për dorëheqjen. Unë nuk frikësohem kurrë. Nuk jam i stresuar, nuk jam në një pozitë të vështirë tani”.

“Respektoj çdo vendim të federatës”, tha trajneri i përfaqësueses sa i përket shkarkimit.

“Që kur kam nënshkruar kontratën, e kam ditur që çdo ndeshje është për të mbijetuar. Do të provojë të mbijetojë edhe nesër”.

“Ju mendoni që unë nuk e dua Kosovës, nuk e dua ekipin tim, jam këtu që më shumë se tre vite, mendoni se do të qëndroja kaq gjatë këtu nëse nuk do të më pëlqente ky vend?”, pyet ai.

I pyetur për pritshmëritë e tifozëve, Challandes tha se nuk “është mirë të mendosh përtej realitetit”.

“Kishim atë periudhën kur menduan që do të shkojmë lartë e më lartë, futbolli është kështu. Se kuptoj si mendoni që ne duhet të fitojmë çdo herë”.

“Mund t’i mposhtim të gjithë, por nuk duhet të mendojmë se ne duhet të fitojmë çdo herë”.

“Duhet ta kemi parasysh që brenda pesë viteve është e pamundur të arrihen disa gjëra”.

“Nuk është e rëndësishmja e ardhmja e trajnerit, por e Kosovës, Kosova ka të ardhme të madhe. Duhet të ketë kritika ndaj trajnerit, por jo të teprohet”, e mbylli ai.

Kosova tani do të zhvillojë stërvitjen e fundit në “Fadil Vokrri” para ndeshjes që zhvillohet nesër në orën 20:45.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore