Kosova

Bërnabiç: Serbia pajtohet me Borrellin, çështja e targave të zgjidhet para 21 nëntorit


Ana Bërnabiç

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka bërë të ditur se Beogradi zyrtar pajtohet me propozimin e shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se çështja e targave duhet të zgjidhet para datës 21 nëntor, atëherë kur fillon edhe faza e dytë e implementimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për gjobitjen e të gjithë atyre që kanë refuzuar t’i konvertojnë tabletat e tyre ilegale në ato RKS.

Sipas saj serbët në Kosovë nuk kërkojnë shumë, përveç respektimit të Marrëveshjes së Brukselit.

“Partnerët tanë evropian dhe partnerët tanë në ShBA nuk mund të tolerojnë më shkeljen e njëanshme të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara dhe shpresoj se një marrëveshje për targat do të arrihet”, ka thënë Bërnabiç në një intervistë për agjencinë e lajmeve serbe, Tanjug.

Situata në Veri të Kosovë është në prag të shpërthimit dhe kryenegociatori, Besnik Bislimi tashmë gjendet në Bruksel për të diskutuar për një zgjidhje urgjente për çështjen e targave me homologun e tij serb, Petar Petkoviç.

Kështu të paktën kishte bërë të ditur Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, në një konferencë për media të hënën duke shtuar gjithashtu se Kosova duhet ta shtyjë vendimin për targat dhe ta fillojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Borrell kishte theksuar faktin se palët duhet të gjejnë një zgjidhje urgjente para 21 nëntorit për çështjen e targave.

“Nuk bën të arrijmë këtë datë pa pasur një marrëveshje, ose do jemi në prag të një situate të rrezikshme. Largimi i policisë në Veri ka krijuar një vakum dhe në këtë vakum më e keqja mund të ndodhë. Prandaj të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet më të madh”, pati deklaruar ai.

Veriu në prag të shpërthimit, situata më e rëndë që 10 vjet – Borell në konferencë të jashtëzakonshme për media

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore