Sport

Berlusconi premton emra të mëdhenj dhe trofe te Monza


“Jam mësuar të fitoj trofe dhe do të provojmë triumfin në Serie A, e më pas edhe në Ligën e Kampionëve”, ishin këto fjalët e mëdha të Silvio Berlusconi-it.

Ish-kryeministri i Italisë, i cili tashmë është pronar i klubit të Monza-s, siguroi tifozët se do të luftojnë për të fituar trofe.

Monza e cila u ble nga Berlusconi në vitin 2018, siguroi ngjitjen në Serie A mbrëmjen e së dielës.

Skuadra e themeluar në vitin 1912, ka milituar gjithmonë në liga të ulëta italiane, duke arritur maksimumi deri në Serie B.

Megjithatë nën udhëheqjen e dyshes Berlusconi – Galliani, ata siguruan për herë të parë në histori ngjitjen në Serie A.

Duket se planet e ish-dyshes së Milan-it janë vërtetë të mëdha, pasi mediat italiane raportojnë për disa emra të bujshëm, që mund t’i bashkohen skuadrës së Monza-s, duke nisur nga Belotti, Sensi e Messias.

Sa i përket Belotti-t, ai është një futbollist i lirë, pasi ka refuzuar rinovimin me skuarën e tij, Torinon.

Mediat në Itali raportojnë që Berlusconi është gati të angazhohet personalisht për ta bindur që t’i bashkohet projektit të tij te Monza, duke i ofruar edhe një rol lideri, me shiritin e kapitenit në krah.

Megjithatë, misioni për ta afruar Belotti-n do të jetë i vështirë, pasi që interesim për të kanë shprehur edhe disa klube të mëdha në Itali dhe jashtë saj.

Sa i përket mesfushës, Galliani e Berlusconi kanë projektuar firmën me Stefano Sensi-n, futbollist në pronësi të Interi-t, që gjysmën e dytë të këtij sezoni ishte në huazim te Sampdoria dhe që vështirë se do të rikthehet më te zikaltrit.

Inter-i është gati të heqë dorë nga kartoni i tij për një shifër prej 10 deri në 15 milionë euro, duke qenë se shpenzoi vetëm 25 sosh, katër vite më parë për ta marrë nga Sassuolo.

Një tjetër emër në listën e Galliani-t është edhe kampioni i freskët me Milanin në Serinë A, Junior Messias.

Ky i fundit është në huazim te Milan-i dhe si duket do të rikthehet te Crotone, pasi që nuk ka bindur sa duhet Pioli-n e Maldini-n për ta blerë kartonin e tij.

Megjithatë vetëm për pak ditë, pasi Monza është gati të paguajë 7-8 milionë eurot e kërkuara nga Crotone për brazilianin dhe ta sjellë në dispozicion të trajnerit Stroppa për sezonin e ri.

Me emra të tillë, Berlusconi e Galliani synojnë jo vetëm të shtojnë ndjeshëm eksperiencën në ekip, por edhe cilësinë për të synuar diçka më shumë se mbijetesa, që në sezonin e tyre të parë në Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore