Shqipëria

Berisha shpjegon përzgjedhjen e 6 dhjetorit për protestë


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar përmes një postimi në median sociale Tik Tok, arsyet e përzgjedhjes së datës 6 dhjetor – ditë e cila përkon me samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë – për zhvillimin e një proteste kundër Qeverisë shqiptare.

Sipas tij, një protestë e tillë është thirrur me qëllimin më madhor, për t’u bërë të qartë miqve në Shqipëri se Edi Rama duke shpenzuar dhjetëra milionë euro dhe duke angazhuar dhjetëra kompani lobimi, ka paraqitur tek ta një realitet shqiptar që nuk ekziston.

Kështu e ka përcaktuar fillimisht Berisha qëndrimin.

“E vërteta është se, sot Shqipëria është një vend në shpërbërje, nga e cila janë larguar në vitet qeverisëse të tij, më shumë qytetarë se në Siri, që po përjeton luftë civile”, vijoi ai më tej shpjegimin.

Më tutje ende, ish-kryeministri shqiptar shton se sipas tij, vendi është i pasur, por pavarësisht kësaj gjëje, qytetarët janë banorët më të varfër.

E gjithë kjo për Berishën, nuk vjen për shkak të burimeve të munguara natyrore, por për shkak të vjedhjeve të tyre.

“Edi Rama sot ka të gjithë pushtetet në duar. Kjo jo se ai i meritoi, por sepse ai ka vjedhur votën dhe nuk respekton vullnetin e lirë të qytetarëve”, përsiat ai më tej.

Ndaj, mbi këto premisa të pretenduara, ai ka vendosur të thërrasë protestën më 6 dhjetor.

Duke përmendur arritje nën qeverisjen e tij, si anëtarësimi i vendit në NATO apo liberalizimi i vizave, kreu i demokratëve thotë se protesta, është për të ngritur zërin e qytetarëve kundër Qeverisë.

“Se ne nuk votojmë të lirë dhe kjo vret shpresën e shqiptarëve, i shndërron ata në “bought people”, ndaj dhe duam që zëri ynë të dëgjohet”, përmbylli ai.

Teksa, Policia e Shtetit, e ka bërë të qartë se në rrezen e sigurisë, e cila do të ngrihet për Samitin, nuk mund të ketë asnjë tubim të ngjashëm.

Por, jashtë perimetrit, protestat do të jenë të lejuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore