Shqipëria

Berisha-Rama-Meta janë bashkë për të shkatërruar PD


“Berisha-Rama-Meta janë bashkë, për hallin e përbashkët dhe janë bashkë për të shkatërruar PD”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takim me demokratët e degës 2 në Tiranë, të shtunën e 29 janarit ka deklaruar se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD-ja.

“Ka vetëm një opozitë dhe kjo është Partia Demokratike e Shqipërisë, që është një dhe vetëm një, jo dy. Ka vetëm një opozitë garante të interesit publik që përballet me të gjitha format dhe mënyrat me të keqen. Dhe gjithë të tjerët janë bërë bashkë”.

Sipas kreut të demokratëve, ish-kryeminsitri Sali Berisha, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta duan ta mbajnë vendin peng. “

“Njëri kordinon sulmin mbi PD, tjetri financon foltoren, tjetri zbaton skenarin për shkatërrimin e PD. Të tre kanë të njëjtin hall, të tre duan ta mbajnë Shqipërinë peng”.

Për Bashën, “treshja Berisha-Rama – Meta” janë e shkuara.

“Sot ka një shpresë, një opozitë, Partia Demokratike e Shqipërisë. Dhe të gjithë këta të tjerët janë bërë bashkë, për të mbrojtur interesat e pakicës”.

Kjo nuk është akuza e parë nga kryedemokrati. 

 Ilir Meta, e ka cilësuar Lulzim Bashën si përgjegjësin e vetëm për ngjarjen e 8 janarit.

Ndërsa, PD reagoi duke deklaruar se presidenti dhe njerëzit e tij duhet të qëndrojnë larg selisë blu.

“Koha kur PD përdorej si mburojë nga Ilir Meta ka përfunduar në 9 shtator, kur ajo distancua nga Sali Berisha”, theksohej në deklaratë.

Ndërkohë, sipas PD-së, ndërhyrja e Ilir Metës, në një debat të brendshëm në parti, tregon atë që është thënë nga Basha.

“Që trekëndëshin Berisha-Rama-Meta e bashkon një hall i madh, por që nuk është as halli i Partisë Demokratike dhe as halli i qytetarëve shqiptarë”.

Akuzat e Bashës

Më 19 nëntor, kreu i Partisë Demokratike, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka akuzuar drejtpërdrejt Metën, duke e cilësuar atë si “aseti më i madh i Edi Ramës gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit”.

Basha u ndal në dy aspekte, në atë që ai e cilësoi si “trekëndëshi i Bermudës”. Aty, për Bashën, bëjnë pjesë Meta, Rama dhe ish-kreu i PD-së, Sali Berisha.

“Nuk ka qenë presidenti Meta i përfshirë në trekëndëshin e Bermudës. Ndaj presidentit dhe qëndrimeve të tij të drejta në raport me Kushtetutën ne kemi mbajtur qëndrime të qarta mbështetëse, madje më shumë se LSI-ja. Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta”, theksoi Basha.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore