Shqipëria

Berisha prezanton kandidatin e Rrogozhinës, me akuza ndaj Bashës


Ish-krue i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar kandidatin për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë, Hekuran Xhani, i cili u shpall fitues në primaret e zhvilluara nga Komisioni i Rithemelimit dhe do të garojë nën logon e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Mirëpo, përpos prezantimit të shkurtër të kandidatit, aty ku është ndalur më së shumti Berisha, janë akuzat ndaj kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha. Po ashtu, edhe ndaj kandidatit demokrat, Ferdinand Saraçi, të cilin e ka emërtuar si një “kopje të Bashës”.

“Ferdinandit do t’i them dy fjalë”, deklaroi Berisha nga foltorja. “Ke qenë kryetar i demokratëve të Rrogozhinës, por me aktin dhe gjestin tënd, tregove se kurrë nuk e ke merituar votën e tyre”.

Sipas Berishës, kandidati Saraçi, do të ishte treguar një demokrat i vërtetë, vetëm nëse do të kishte garuar në primaret e zhvilluara nga Komisioni i Rithemelimit.

Më tej, Berisha vijoi me akuzat për Bashën.

“Duke e ditur se është i nxirë, nuk shkon t’i paraqesë kandidatët e tij. Nuk del vetë, që qytetarët të mos kujtojnë se janë kandidatë të tijët, por janë të logos që ka rrëmbyer me Policinë e Edi Ramës”, iu referua Berisha Bashës.

Ndërsa thirrjen e fundit, ia ka bërë mbështetësve, që të votojnë për koalicion e tij me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore