Kosova

Berisha: Osmani po e dëmton Kosovën përbrenda dhe në arenën ndërkombëtare


Anton Berisha, ish ministër i Punëve të Jashtme

“Largimi i Vjosa Osmanit jo vetëm që nuk është humbje, por është përparësi për LDK-në”, ka cituar një prononcim të vetin për medie, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, një vit më parë kur ishte e qartë se Vjosa Osmani, tani presidente e Kosovës, po bëhej bashkë me Vetëvendosjen.

“Atëherë pakkush është pajtuar me mua, por besoj se çdo mendje racionale që ka përcjellë mbrëmë intervistën e saj, e ka të lehtë të kuptojë natyrën e saj mashtruese, naivitetin e saj politik, cektësinë e trajtimit të temave dhe çka është më e rënda, (po përdor një term të zbutur) josinqeritetin e saj”, ka vazhduar shkrimin në llogarinë e itj në Facebook, Berisha.

Kjo eklaratë e ish-ministrit të Punëve të Jashtme u nxit pas një interviste të Presientes Osmani në RTK, e cila ndër të tjera foli edhe për gjuhën kërcënuese të bashkëshortit të saj, Prindonit, ndaj medieve.

“Një politikane ordinere nuk mund të qëndronte në krye të një lëvizjeje kombëtare që bazohej në idenë e lirisë dhe humanizmit më në krye intelektualin par excellence, dr. Rugovën”, ka shkruar Berisha.

“Ajo, mund të qëndrojë në krye të shtetit të Kosovës, përderisa shteti është redukuar në koncept ideologjik dhe personal, dhe në këtë frymë është duke e dëmtuar përditë përbrenda dhe në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një interviste në RTK ka thënë se bashkëshorti i saj Prindoni, nuk i ka quajtur mediat “ndërmarrje kriminale”, por nuk është lexuar si duhet shkrimi i tij në Facebook.

“Ai e qartëson shumë mirë, që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat ‘ndërmarrje kriminale’. Mjafton bre ta lexojnë. Mjafton ta lexojnë. Nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë”, tha Osmani.

“Është absurditetet t’i mveshni fjalët që nuk i ka thënë. Mjafton ta lexoni qysh është shkruar, flet për ndërmarrje kriminale që nuk janë mediat. Flet për njerëz që merren me reket”.

“Ndërmarrja e përbashkët kriminale është kategori e ndarë nga gazetarët”.

Ne fakt, burri i presidentes ka thënë pikërisht atë që po e mohon Osmani.

Osmani ka shtuar se “familja ime është sulmuar vazhdimisht”.

“Sulmet ndaj familjes sime kanë cenuar sigurinë e familjes sime. Jemi sulmuar nëpërmjet një propagande të tmerrshme edhe me atë shkrimin “për me i qepu” edhe ajo e tregon tendencën. Ne vetëm kemi kërkuar kërkim falje publike”

Osmani: Për herë të parë kam dëgjuar për kompensimet tani

Ajo ka folur edhe për shpenzimet për derivate sa ishte deputete duke shtuar se “unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tash kur ka dal kjo punë në media”.

“Shumë para se të flitej për emrin tim kur doli për deputetët që këtë vit kanë marrë kompensim. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë për këtë kompensim”.

“Në mandatin e parë natyrisht unë jam zgjedhur nga Mitrovica, diku 90 për qind e votave të mija kanë qenë nga atje. Jam regjistruar ashtu, mirëpo asnjëherë, askush, aty në Kuvend nuk thotë që regjistrimi për web-faqe ka të bëjë me ndonjë kompensim.

“Në rastin tim, nëse e kalkulojmë në katër vite i bie 80 euro në muaj që mi paskan vendosur në llogari bashkë me këtë pagesë të 6-7 shtesave tjera. Natyrisht që mua më vjen keq që nuk i kam vërejtur 80 euro që për katër vjet po i bie 2.5 euro në ditë kompensim për udhëtim që i bie sa një taksi brenda Prishtinës”.

Vjosa Osmani – Presidente e Republikës së Kosovës.

‘Bashkimi Evropian po e trajton Serbinë si “fëmijë të llastuar”

Në këtë intervistë ajo foli edhe dialogun me Serbinë, derisa ka theksuar se Bashkimi Evropian po e trajton Serbinë si “fëmijë të llastuar”.

“Është shumë me rëndësi të themi këtë, se nëse palët nuk trajtohen të barabarta në dialog, në qoftë se një palë trajtohet si fëmijë i llastuar, në këtë rast Serbia, në qoftë se nuk i përmendet asnjëherë implementimi i nënshkrimeve që ka bërë”.

“Së fundmi Lajçaku ishte në vizitë në Kosovë dhe shkon në zonën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë dhe thotë se që të dyja palët duhet ta zbatojnë marrëveshjen IBM-së e në fakt Kosova e ka zbatuar 100% dhe Serbia 0%. Kjo tregon se dy palët nuk po trajtohen në mënyrë të barabartë”.

Osmani ka theksuar se BE-ja po i kërkon Kosovës që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë nuk po i kërkojnë asgjë.

“Ka shumë marrëveshje që Serbia nuk i ka implementuar, çka dëgjojmë ne nga BE-ja është insistimi i tyre i vazhdueshëm që Kosova ta implementojë një marrëveshje, asnjëherë nuk dëgjojmë duke ia numëruar Serbisë marrëveshjet që nuk i ka implementuar”.

“SHBA-ja se përkrahin Asociacionin me kompetenca ekzekutive”

E para e shtetit potencoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka qenë një ndër marrëveshjet më të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.

“Dëmi është akoma sepse në disa raste ka ende insistim që ajo të implemenohet që ajo të bëhet’.

“SHBA e kanë bërë të qartë që nuk e përkrahin Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe që na shpie drejt banjëzimit të Kosovës. Nuk na duhet ulësja as në OKB me një Asociacion të tillë. Nuk duhet ta bëjmë shtetin të cenueshëm për të ardhmen”.

“Në fakt unë e kam demantuar që modeli i Belgjikës nuk është diskutuar dhe as propozuar nga ndërkombëtarët, prandaj edhe nuk bën. Kompetenca ekzekutive nuk mund të lejojmë, këto modele janë refuzuar edhe në vitet e 90-ta kur kemi qenë në okupim”.

Ajo ka shtuar se “duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe e respektojmë atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese”.

“Nuk është diskutuar asnjëherë për autonomi për veriun e Kosovës, këto janë modele të dështuara për këtë shekull. Ndoshta Serbia i kërkon, por ne nuk i pranojmë. Ne assesi nuk mund të lejojmë që të ketë autonomi për një pjesë të Kosovës”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore