Shqipëria

Berisha: Opozita nuk është as vulë as bravë


Ish-lideri demokrat dhe nismëtari i Kuvendit të 11 dhjetorit, Sali Berisha, ka reaguar pas kallëzimit të Partisë Demokratike në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), duke deklaruar se “opozita nuk është as vulë as bravë”.

“I tmerruar nga vendimi për shkarkimin me 4446 vota ne Kuvendin e Partisë Demokratike datë 11.12.2021 pengu i Edi Ramës vendosi që me këshillën dhe mbështetjen e pengmarrësit te tij të padisë sot në SPAK vullnetin e mijëra demokrateve të shprehur masivisht kundër tij, si asnjëherë më parë në historinë e Partisë Demokratike!”, shkruan fillimisht Berisha në median sociale Facebook.

Sipas tij, ky veprim i dëshpëruar për të kërkuar ndihmë tek Edi Rama dhe falangat e tij në drejtësi provon dhe një herë faqe botës se arsyeja e vetme përse PD-ja kalon prej vitesh nga humbja në humbje është pazari i peng-Bashës me Edi Ramën.

Për Berishën, akte të tilla tregojnë se “ish lidershipi i PD-së ka prekur fundin e tij politik dhe moral”.

“Lulzim Basha ka humbur zgjedhjet, ka humbur qytetarët, ka humbur demokratët, ka humbur delegatët, ka humbur strukturat dhe vetë Partinë Demokratike, por i gënjen mendja se do mund të vazhdojë pazaret dhe marrëveshjet e fshehta me Edi Ramën me vula dhe brava!”, vijon ish-kryeministri në statusin e tij.

Në vijim të reagimit, Berisha kujton se ka marrë fund koha kur kauzat e qytetarëve dhe sakrificat e demokratëve blatoheshin si kurban në altarin e pazareve të tij me Edi Ramën.

“Shqipëria nuk meriton dhe nuk do të ketë kurrë më një opozite dhe pluralizëm fasadë!”, ravijëzoi sërish ish-lideri demokrat.

Duke iu kthyer akuzës për përdorimin e vulës dhe logos së PD-së, Berisha sqaroi se Kuvendi Kombëtar, si forumi më i lartë i partisë ka miratuar vulën dhe logon e re.

Kjo e fundit, sipas tij, në vetvete mbart simbolet e 11 dhjetorit 1990.

“Këto simbole mbajnë historinë, djersën dhe gjakun e mijra demokratëve që kanë sakrifikuar deri në akte sublime për vlerat e lirisë, fjalës dhe konservatorizmit. Këto vlera që ne i kemi mbrojtur dhe vazhdojmë t’i mbrojmë fort, u përballën me forcat e errëta të diktaturës dhe nuk humbën, por u rikthyen më të fuqishme . Aq më pak do mundet ti zhbëjë drejtësia e kontrolluar nga Rama i cili tashmë është rreshtuar fort dhe zellshëm në krah të atyre që me veprime korruptive tentuan të çojnë drejt shkatërrimit Partinë Demokratike”, nënvizoi ish-lideri demokrat në përmbylljen e statusit të tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore