Shqipëria

Berisha konfirmon… Berishën


“Të premten do të jem në Parlament, në përputhje të plotë me vullnetin e shqiptarëve”.

Një deklaratë e tillë e ish-liderit historik të Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, konfirmon për të disatën herë praninë e tij në punimet e kuvendit të ri.

Berisha theksoi se nuk “fshihet prapa mandatit të tij”.

Ish-kryeministri ravijëzoi se sovraniteti është shprehur me votën e qytetarëve, ndaj në asnjë lloj rrethane ai nuk mund “ta shkelmojë sovranitetin e Shqipërisë”.

Referuar votës së qytetarëve, rezultati i zgjedhjeve parlamentare ishte zhgënjyes në planin personal për Berishën.

Ai arriti të renditej i shtati në Tiranë me 6 mijë e 766 vota, ndërsa në rang kombëtar i 40-ti.

“Misioni” i Sali Berishës 

“Sot” – referuar 30 korrikut – “ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, i kërkoi kryetarit të Partisë Demokratike, që Sali Berisha të mos futet në Parlamentin e ardhshëm. Asnjë shpifje, trillim apo sajim, nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij ndaj zgjedhësve”.

Ishte kjo përgjigjja e drejtpërdrejtë e ish-kryeministrit Sali Berisha, për Ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim.

Ajo, pas një takimi me kreun e opozitës, Lulzim Basha, deklaronte se “do të ishte një ironi historike dhe tragjike, nëse PD-ja do të hante bar për hatër të një deputeti”, duke iu referuar thirrjes ndaj Bashës dhe Ramës që “Shqipëria të ecë përpara”.

“Dua t’i kujtoj zonjës ambasadore”, do i përgjigjej Sali Berisha, “se ka gabuar shumë rëndë me barin që i përmendi demokratëve. Shprehja juaj se PD-ja mund të hajë bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar. Citate të ngjashme, ata i kanë dëgjuar vetëm nën diktaturë apo nga racistë albanofobë”.

Në përmbyllje, Berisha i cilësonte shqiptarët si njerëz të lirë dhe me dinjitet, “të cilët nuk meritojnë bar, por transparencë”.

Mirëpo, ambasadorja Kim e bëri të qartë se Basha duhet të distancohet nga Berisha.

“Mezi po pres të kthehem në parlament”

Gjatë muajit korrik, Berisha ravijëzonte angazhimin dhe bindjen e palëkundur sa i takon rikthimit të tij në parlament.

“Mezi po pres, mezi po pres, unë jam themelues i parlamentit pluralist në Shqipëri, mezi po pres”.

Për Berishën – çdo demokrat, çdo opozitar – duhet ta thotë fjalën e tij të fuqishme.

“Duhet dhe do t’i ketë orët e numëruara. Jemi një armatë e fuqishme, që vendosëm të përballemi me regjimin më të ashpër që ka njohur Ballkani, pas Enver Hoxhës”, deklaronte ai.

Barrë e PD-së apo jo

Analisti Ben Andoni e konsideron figurën e Sali Berishës thjesht si një kërcënim për të tjerët jashtë PD-së.

“Duket qartë frika dhe paqartësia e tij dhe mbi të gjitha përfshirja jo normale e PD-së në aksionin e tij të mbrojtjes, që në fakt i përket vetëm Berishës”, deklaron Andoni për Albanian Post.

Sipas tij, është momenti që kryetari i PD-së “t’i tregojë vendin e duhur por mbi të gjitha t’i japin një fizionomi të re partisë më të madhe të Opozitës”.

Për Andonin, Berisha ka bërë një gabim të madh sepse ka treguar realisht që “ai e zotëron partinë edhe de jure, jo vetëm de facto, për të cilën akuzohet aq shpesh”.

Ndryshe mendon analisti Andi Bejtja, i cili nuk e konsideron Berishën si barrë të PD-së.

“Ndarja që ka Berisha me Amerikën, është figurative, sepse kur ka hedhur personin në gjyq, ka hedhur institucionin”, deklaron Bejtja.

Sipas tij, rruga përpara Berishës është e vështirë, por akti duhej bërë dhe duhet përshëndetur.

“Berisha ka përballë një mal të madh, sepse ka përballë Amerikën dhe Shqipërinë e Edi Ramës”, përmbyll analisti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore