Shqipëria

Berisha do të shpallet ‘non grata’ edhe nga BE-ja shumë shpejt, sipas Ballës


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Parlament, Taulant Balla, ka deklaruar se kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të përcaktohet si non grata edhe nga Bashkimit Evropian dhe kjo gjë pritet të ndodhë shpejt.

Kështu bëri me dije ai gjatë një vizite në Fier, ku foli edhe për këtë çështje.

“I vetmi që duhet të kërkojë vrimë kur të futet në këtë moment është Berisha, në Amerikë dhe Angli, as noti nuk e ndihmon. Siç po duken bathët, edhe BE-ja është në procesin për ta shpallur non grata për korrupsion të lartë”, përkufizoi Balla.

Sipas tij, kreu i demokratëve ka 33 vite që saboton interesat kombëtare të shqiptarëve dhe për këtë arsye, ai edhe do të ndëshkohet nga strukturat evropiane.

Ai po ashtu foli edhe për koalicionin mes Berishës dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, të cilët në vend që të merren me politike, në mendimin e tij, është mirë të merren me drejtësinë dhe proceset që i kanë të hapura.

“Ka një shpresë të madhe se drejtësia, edhe pse e vonuar po i rikthehet çështjeve me shumë rëndësi që ka sfida e madhe e drejtësisë. Uroj që t’i shkohet deri në fund, çështjes CEZ-DIA”, përmbylli Balla nga Fieri.

Këtë pretendim se kreu i opozitës do të shpallet edhe nga BE si i padëshirueshëm, Balla e ka dhenë edhe në shtator 2022, kur foli nga Kryesia e Kuvendit.

Asokohe sipas tij sinjale të tilla i pati lëshuar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka pohuar se ashtu si SHBA-të dhe Britania e Madhe, edhe vendet e unionit duhet të ndërmarrin të njëjtat hapa ndëshkuese, ndaj personave të cilët minojnë demokracinë.

Nga ana tjetër gjithsesi, ka qenë ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann, ajo e cila në janar të këtij viti, bëri me dije se nga strukturat evropiane nuk ka ende një propozim të qartë, për të përcaktuar personalitet shqiptare si non grata.

Vetë ish-kryeministri shqiptar Berisha, u shpall si non grata nga SHBA-të e më pas, ai e mori përcaktimin edhe nga Mbretëria e Bashkuar, mbi të njëjtat akuza të palës amerikane.

Sali Berisha, zyrtarisht persona non grata në SHBA

Sali Berisha, zyrtarisht persona non grata në SHBA

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore