Sport

Benzema, nga një lagje e varfër – përjashtimi nga kombëtarja – deri te fitimi i Topit të Artë


Karim Benzema e fitoi çmimin individual më të vlefshëm për çdo futbollist, Topin e Artë.

Francezi triumfoi në mbrëmjen e kaluar, duke lënë prapa Sadio Mane-n dhe Robert Lewandowski-n.

Gjatë sezonit që lamë pas, 34-vjeçari kishte shënuar 44 gola dhe kishte dhuruar 15 asistime me fanellën e Real Madrid-it në të gjitha garat.

Gjithashtu ai kishte kontribuar edhe me nëntë gola në 13 ndeshje me kombëtaren e Francës, duke bërë që ata ta fitojnë Ligën e Kombeve.

Por, cila është historia deri te ngritja lart e këtij trofeu nga sulmuesi i Real Madrid-it?

Në fakt, gjatë tërë karrierës së tij, Benzema nuk ishte përfshirë as në treshen e ngushtë të futbollistëve për ta fituar këtë çmim, pavarësisht se statistikat nuk i mungonin.

Gola të shumtë dhe paraqitje tejet të mira të francezit bërën që Real-i të fitonte trofe në kohët e fundit, por përsëri Benzema nuk gjeti vend në listën e ngushtë për ta fituar Topin e Artë.

30 gola dhe nëntë asistime ishin statistikat e tij në sezonin 2020/21 dhe 27 gola e 11 asistime ai bëri një sezon më herët.

Në fakt, me largimin e Cristiano Ronaldo-s nga Real-i, Benzema kishte “shpërthyer”, duke qenë një nga futbollistët vendimtarë të madrilenëve që ata fituan dy Liga të Kampionëve dhe dy La Liga.

Por, si filloi karriera e Karim Benzema-s?

Benzema u rrit të një qytet afër Lionit. Ai jetonte në një banesë sociale me nënën e tij, Wahida, babain e tij, Hafid, dhe katër motrat dhe tre vëllezërit. Nëna e Benzema-s ka lindur dhe është rritur në Lion, ndërsa babai i tij erdhi në Francë nga Algjeria.

Shtëpia e familjes ishte vetëm disa minuta në këmbë nga klubi i parë i Benzema-s, SC Bron Terraillon – klub në të cilin francezi mori hapat e parë.

Ai dashuronte futbollin. Trajneri i tij i parë, Frederic Rigolet, e shpjegon këtë gjë më së miri, derisa tha se “Karim ishte i dashuruar pas topit. Mbante atë gjithnjë me vete dhe godiste murin me top gjatë tërë kohës”.

Nga një ndeshje që skuadra e tij e parë e pati me ekipin e të rinjve të Lyon-it, Benzema bëri paraqitje të mirë, duke shënuar dy gola.

Këtë ndeshje ishte duke e parë një skaut i Lyon-it, i cili më pas menjëherë u angazhua për ta marrë në ekip Benzema-n.

Gjatë asaj kohe, ai gjithashtu filloi të luante edhe për ekipin U17 të Francës.

Ndërkaq, debutimin me fanellën e Lyon-it e bëri në janar të vitit 2005, kur ata u përballën me Metz.

Në atë sezon, ai bëri gjashtë paraqitje në ligë, më pas në sezonin tjetër, shënoi katër herë në 16 ndeshje – kupë dhe ligë.

Ndërkaq, sezoni 2007/08 ishte më produktivi për Karim-in, i cili shënoi 31 gola dhe dhuroi 10 asistime në 52 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Lyon-it.

Gjithashtu francezi pati paraqitje shumë të mira edhe në sezonin e tij të parë në Ligën e Kampionëve, në ndeshjet ndaj Manchester United, Rangers dhe Rosenborg.

Ai shënoi kundër skuadrës skoceze në një fitore 3:0 në fazën e grupeve, sukses ky që e kualifikoi Lyon-in në fazën eliminatore.

Më pas ata u përballen me Manchester United-in në fazën e 1/8-ve, ku Benzema shënoi në barazimin 1:1 në Francë, por gjithsesi u eliminuan nga humbja 2:1 në Angli.

Nga këto paraqitje, tani ai ishte në radarin e Manchester United dhe Alex Ferguson kërkonte transferimin e tij.

Duke parë vlerat e Benzema-s dhe paraqitjet e tij në atë sezon, klubi vendosi t’ia zgjaste kontratën, në mënyrë që ai mos të largohej me parametra zero.

Në sezonin pasardhës, Karim së bashku me klubin e tij arritën ta fitojnë titullin kampion në Ligue 1. Ai kontribuoi me 14 gola dhe katër asistime.

Këto paraqitje mjaftuan për ta bindur Real Madrid-in që ta transferonte Benzema-n. 35 milionë euro ishte shuma që madrilenët shpenzuan për ta sjellë atë në skuadër, vitin e njëjtë kur u transferuan edhe Cristiano Ronaldo dhe Kaka.

Tetë gola dhe pesë asistime në 33 ndeshje, ishin statistikat e francezit në sezonin e parë me Real-in.

Sezoni i dobët debutues i Benzema-s në Madrid rezultoi në lënien e tij jashtë skuadrës së Francës për Kupën e Botës 2010 nga trajneri Raymond Domenech.

Në prag të turneut në Afrikën e Jugut, Domenech fluturoi në Madrid për të folur personalisht me të, por mbeti i frustruar kur Karim Djaziri, agjenti i Benzema-s në atë kohë, vazhdoi të ndërhynte.

Problemet e Benzema-s me ligjin.

Benzema gjithashtu kishte probleme jashtë fushës.

Atë verë, së bashku me shokun e tij të ekipit kombëtar, Franck Ribery, ai u hetua për akuzën se kishte paguar një femër të mitur për seks në vitin 2008.

Zahia Dehar pretendoi se të dy lojtarët paguanin për të bërë seks me të kur ajo ishte nën 18 vjeç.

Megjithatë, kur kaluan katër vite gjykata vendosi se dy futbollistët ishin të pafajshëm.

Por, kjo nuk ishte hera e parë apo e fundit që Benzema ishte në telashe me ligjin.

Sulmuesi mbetet besnik ndaj grupit të tij të miqve nga Bron Terraillon.

Në nëntor 2009, katër muaj pasi vulosi lëvizjen e tij të ëndrrave në Madrid, një nga shokët e tij të fëmijërisë ishte në probleme me ligjin.

Karim Zenati (miku i tij i ngushtë) u arrestua për shpejtësi me makinën e tij, derisa policia gjeti rreth 200 kilogramë kanabis në makinën.

Kur Zenati u burgos, Benzema e vizitoi atë në burg dhe më vonë i dha një punë në “Best Of Benzema”, një kompani e krijuar në 2008 për të mbrojtur të drejtat e imazhit të tij.

Ky është vetëm një nga shumë shembuj të besnikërisë së francezit ndaj rrethit të tij të ngushtë.

Zenati, i lindur në Tunizi, u rrit me Benzema-n dhe ishte pranë tij kur sulmuesi vizitoi shkollën e tij të vjetër, Jean Moulin në Lyon, në 2015.

Por një pjesë e kohës që Benzema kaloi me Zenatin kishte implikime të mëdha.

Në nëntor 2015, ai u vu nën hetim zyrtar gjyqësor në lidhje me një përpjekje për ta shantazhuar mesfushorin e Lyon-it dhe kombëtares franceze, Mathieu Valbuena për një kasetë seksuale.

Benzema pranoi përfshirjen në rastin e pretenduar të zhvatjes, duke u thënë hetuesve se ai iu afrua kolegut të tij futbollist për kasetën në emër të “një shokut të fëmijërisë”.

Bisedat telefonike mes Benzema-s dhe shokut të tij u përgjuan nga policia. Nga kjo, Benzema më pas u pezullua nga kombëtarja e Francës diku ka fillimi i vitit 2016.

Megjithatë, skandali nuk ndikoi në formën e Benzema-s. Atë sezon, ai e fitoi Ligën e Kampionëve me Real Madrid-in, si dhe shënoi 24 gola në 27 ndeshje në La Liga.

Ishin rreth gjashtë vite që Benzema nuk u ftua fare në kombëtaren e tij, pavarësisht se ai kalonte në formë shumë të mirë me Real-in.

Benzema gjithashtu mungoi në trofeun e Kupës së Botës, “Rusi 2018”, ku Franca arriti ta ngrinte lart trofeun.

Ftesa nga trajneri Didier Deschamps për të luajtur në kombëtare ishte në Kampionatin Evropian të kaluar.

Megjithatë, para se të ndodhte kjo, në vitin 2021 Benzema ishte shpallur fajtor për shantazhin ndaj Valbuena-s dhe u dënua me një vit burgim me kusht dhe gjobë prej 75 mijë euro, derisa miku i tij mori një dënim me 15 muaj burgim.

Por, francezi i la pas krahëve këto probleme, duke vijuar karrierën e tij profesioniste dhe duke shkëlqyer me fanellën e Real Madrid-it.

Deri më tani ai numëron plot 328 gola në 615 paraqitje me fanellën e klubit mbretëror.

Ndërsa, pavarësisht mungesës për një kohë, Benzema gjithashtu ka edhe 37 gola në 97 paraqitje me kombëtaren e Francës.

Ai tani ka kontratë me Real-in deri në verën e vitit të ardhshëm, por sipas mediave Real-i po përgatit vazhdimin e saj, për ta mbajtur edhe për një vit në skuadër goleadorin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore