Shqipëria

Beleri: Çështjen e pafajësisë do ta çoj deri në Strasburg


Fredi Beleri, ngjashëm siç paralajmëroi, ka folur nga Rinasi për mediat shqiptare, teksa do të udhëtojë drejt Parlamentit Evropian për t’u betuar si eurodeputet.

“Po iki drejt Athinës. Nesër do të jem në Strasburg. Nesër ka votime dhe vendime të rëndësishme”, ka thënë ai.

“Këtej e tutje besoj se do t’i kthehem normalitetit”, ka shtuar ai.

Ai ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha hallkat për të fituar pafajësinë e tij.

Beleri ka thënë se do ta çojë çështjen e tij deri në Strasburg dhe njëherazi ka akuzuar drejtësinë shqiptare se për rastin e tij janë ndjekur dy standarde.

“Do të ankimoj në çdo hallkë të drejtësisë shqiptare dhe po nuk gjeta drejtësi, deri në Strasburg”.

Drejtoria e Burgjeve miraton lejen për Fredi Belerin, do të betohet si eurodeputet

Beleri ka lënë mëngjesin e sotëm ambientet e burgut të Fierit, pas lejes së marrë nga komisioni i burgjeve për t’u betuar si eurodeputet.

Beleri ka dalë nga porta kryesore e burgut të Fierit, atje ku po vuan dy vite burg nën akuzën e blerjes së votave.

Ai është pritur në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë dhe makina e ambasadës greke.

Për median greke ai ka pohuar se ishte shumë i lumtur, ndërsa i shprehu falënderime atyre për mbështetjen e dhënë në kaq muaj.

“Jam i lumtur e ju falënderoj për mbështetjen që me keni dhënë për kaq muaj, të tjerat do t’i them në Athinë. Për median shqiptare, do të flas në aeroport”.

Drejtoria e Burgjeve miraton lejen për Fredi Belerin, do të betohet si eurodeputet

Pas dhënies së lejes për betimin e Fredi Belerit si eurodeputet në Strasbourg, Drejtoria e Burgjeve ka publikuar edhe detajet zyrtare të saj.

Sipas një njoftimi të bërë publik pasditen e 14 korrikut, pas  kërkesës së të dënuarit Dhionisis (Alfred) Beleri për leje shpërblyese në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamentin Evropian në datat 15-20 korrik 2024 në Strasbourg, referuar Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm nr. 733 prot, datë 04.06.2024 “Për përbërjen dhe funksionimin e Bordit të Monitorimit të dhënies së lejes shpërblyese dhe të veçanta për të burgosurit në IEVP” është dhënë leje shpërblyese për të dënuarin Dhionisis (Alfred) Beleri nga data 15 korrik deri në 20 korrik 2024.

Pas përfundimit të lejes pesë ditore, i dënuari Alfred Beleri do të kthehet në burgun e Fierit për të vazhduar kryerjen e dënimit, sipas vendimit të GJKKO.

Nga ana tjetër, duke qenë se ai gjendet jashtë Shqipërisë, specifikohet se çdo ditë në orën 14:00, ai duhet të ketë kontakt me Komisariatin e Policisë së Himarës, për të raportuar mbi gjendjen e tij.

Mosrespektimi i këtyre rregullave, do të çojë edhe në penalitete të tjera për Belerin, në rast thyerje të lejes.

Teksa, me përfundimin e saj, njoftohet se ai do të kthehet në Burgun e Fierit, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të tij.

Pak ditë më parë, Athina i kërkoi zyrtarisht leje Tiranës që Beleri të shkojë në Strasburg për të marrë pjesë në seancën hapëse të parlamentit të ri evropian në 15 Korrik.

Beleri u zgjodh eurodeputet nga radhët e Demokracisë së Re në zgjedhjet evropiane të 9 qershorit.

Sakaq, Gjykata e Lartë këtë të premte të 12 korrikut ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, i cili kërkonte pezullimin e ekzekutimit të vendimit që e dënoi atë me 2 vite burg.

Beleri kërkonte që ekzekutimi i vendimit të pezullohej derisa të shprehej Gjykata e Lartë.

Treshja gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Medi Bici dhe Albana Boksi vendosi mospranimin e kësaj kërkese.

Beleri u dënua në 5 mars të këtij viti me dy vite burg nga GJKKO, vendim i cili u la në fuqi në 25 qershor edhe nga Apeli i Posaçëm.

Më 16 prill ndërkaq, u zbardh vendimi i arsyetuar për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, ku argumentohet se korrupsioni zgjedhor në rastin e tij është i faktuar.

Avokatët e Belerit në çështje pretendojnë se Arsen Rama, i infiltruari i Policisë, nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka pasur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar.

Mirëpo Gjykata, në vendimin e arsyetuar, e thekson se Rama ndodhej në qytetin e Himarës më datë 10-11-12 maj, kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi dhe ndaj pretendimi i mbrojtjes nuk qëndron.

“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyeton gjykata në mënyrë të zgjatur.

Më tej, arsyetimi ndalet edhe te regjistrimi audio dhe video i bisedave mes të pandehurve dhe te infiltruarit të policisë, ku gjykata shpjegon se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen  e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë.

“Sa i përket pretendimeve në lidhje me kqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj”, përmendet në vendim.

Më tej, thuhet se në çdo rast palët, edhe gjatë gjykimit në themel, mund të dëgjojnë në seancë gjyqësore përgjimet për të cilat kanë pretendime.

Mbrojtësit e të pandehurve të pyetur nga gjykata në seancën e shqyrtimit të provave shkresore, nëse kishin pretendime mbi përmbajtjen e përgjimeve dhe nëse donin të dëgjonin materialian audio-video, kanë deklaruar se nuk kanë pretendime mbi përmbajtjen dhe nuk dëshironin ta dëgjonin këtë material.

Gjykata thotë po ashtu se krijoi bindjen bazuar në prova e fakte, siç janë përgjimet audio dhe video mes të pandehurve me të infiltruarin, ekspertimi i telefonit të Arsen Ramës, si dhe rrëfimet e dëshmitarëve se Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi e kanë kryer veprën penale të korrupsionit zgjedhor.

Beleri është dënuar me dy vite burgim, pasi premtoi 40 mijë lekë për 8 vota, ndërsa Kokaveshi, që ia dorëzoi shumën e parave të infiltruarit, është dënuar me shërbim prove.

Pas ankimimit të të pandehurve, kundër vendimit të gjykatës së posaçme, çështja pritet të shqyrtohet në Apelin e Posaçëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore