Zgjedhjet në Kosovë

Bekim Jashari: “Më identifikuan si të afërt me VV-në”


Rezultati i zgjedhjeve në Skenderaj ishte i pa pritur për të.

Kryetari i deritanishëm i kësaj komune, Bekim Jashari doli i dyti në zgjedhjet lokale të së dielës, por të gjitha brengat dhe shqetësimet që ka, ka zgjedhur ti thotë vetëm përmes facebookut.

Në një postim në llogarinë e tij në facebook, Jashari ka thënë se ndaj tij po bëhet propagandë duke e identifikuar atë si të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Deklaratat e z. Mehani që Skenderaj duhet të shkojë në ri-votim është edhe një deklaratë tjetër e porositur për të na identifikuar si të afërt me VV-në, siç ishte dhe vendimi për mos kandidim të tyre për kryetar të Skenderajt”.

“Pasivizimi i tyre në fushatë dhe heshtja e tyre para keqpërdorimeve në ditën e votimit”.

“Kështu me veprimet e tij të ulëta ai iu mundësoj kundërshtarëve tonë politik që gjatë tërë fushatës parazgjedhore të propagandojnë kinse Bekimi është me VV-në, pasi që VV-ja nuk i vuri kundërkandidat”.

“Kjo ishte propaganda që më së shumti përdoren ata që nuk e kishin as edhe një fakt të vetëm pse nuk duhet votuar Bekim Jashari, nuk e kishin as edhe një dëshmi kundër qeverisjes sime me duar të pastra”.

“Ata që përveç propagandave të ulët kundër meje, bënë marrëveshje me serbet e Bajës dhe Syriganës, të cilët i votuan me shumicë, ata që blenë votat e qytetarëve me para, kërcënuan e shantazhuan mbështetësit tonë, ata që blenë komisionerët, vëzhguesit si dhe ata që përdoren trenin bullgar për të përmbysur rezultatin”.

“Unë e kam thënë dhe e përsëris sa herë që ka nevojë që Bekimi ka qenë dhe mbetet i pavarur dhe nuk ka asnjë marrëveshje apo koalicion me asnjë parti politike dhe i tillë do të mbetem”.

Jashari ka shtuar ndër të tjera se “qytetarët e vendit tonë janë dëshmitarë të manipulimeve që kanë ndodhur andaj edhe janë duke dëshmuar çdo ditë për manipulimet që bënë ata që nuk njohin asgjë para interesit të tyre grupor”.

Ai ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që “të thotë fjalën e saj dhe të zbardhet çdo parregullsi në procesin zgjedhor të 17 tetorit”.

“Këtë e kemi obligim ndaj demokracisë dhe zhvillimit të vendit por edhe ndaj kujtimit për sakrificën në ndërtimin e shtetit tonë”, ka përfunduar reagimin e tij publik, në facebook, Bekim Jashari.

Po përmes kësaj platforme komunikimi, Jashari i cili në këto zgjedhje ashtu si në ato të 2017-tës, garoi i pavarur, ka reaguar për të gjitha shqetësimet që ka pasur pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, dhe i është shmangur çdo komunikimi me mediet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore