Lajme

BeH mund ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE gjatë muajit dhjetor, thotë Varhelyi


Oliver Varhelyi

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, konfirmoi se në muajin e ardhshëm, Bosnja dhe Hercegovina mund të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Varhelyi theksoi se Komisioni Evropian dyfishoi përpjekjet për të vendosur mbi tavolinë propozimet për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, duke marrë shembull Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

“Këtë vit ne tashmë i kemi dhënë statusin e kandidatit tre vendeve – Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë – dhe besoj se këtë vit do të kemi një tjetër vendim pozitiv për BeH-në”, deklaroi Varhelyi në një konferencë për media në Barcelonë.

Ai pohoi se prioriteti kryesor i BE-së pas agresionit rus në Ukrainë ka vënë në qendër të vëmendjes çështjen e politikave të zgjerimit.

“Nëse ka një pasojë pozitive të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ajo është se zgjerimi i BE-së është një zgjidhje afatgjatë për vendosjen e paqes, sigurisë dhe prosperitetit”.

“Në këtë kuptim, zgjerimi tani është një prioritet kryesor jo vetëm për fqinjët tanë, por edhe për ne”, shtoi ai.

Ndryshe, të mërkurën e 12 tetorit KE-ja rekomandoi që BeH-së t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe se vendimi final për këtë vend pritet të merret në muajin dhjetor.

Rekomandimi i KE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e kandidatit “me mirëkuptimin” se vendi do të përmbushë më pas kushtet e nevojshme, ngriti çështjen e BeH-së si një vend, statusi kandidat i së cilës është i lidhur me përmbushjen e mëparshme të kritereve.

Por, Franca, Gjermania dhe Holanda ishin kundër rekomandimit të KE-së dhe sipas të gjitha gjasave qëndrimi i tyre të ndryshojë deri në dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore