Bajram Begaj shpallet “Qytetar Nderi” i Drenasit

SHFLETO

Bajram Begaj dhe Ramiz Lladrovci

 

Sahide Brati
24.06.2024 21:04
Loading Icons...

Bajram Begaj, presidenti i Shqipërisë, të hënën, është shpallur qytetar nderi i Komunës së Drenasit.

Kështu ka bërë të ditur, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ku theksoi veprat e angazhimin humanitar të Begajt në periudhën e luftës.

“Për kontributin e shquar për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj në skenën ndërkombëtare, fuqizimin e shtetit dhe shtetësisë kudo jetojnë shqiptarët, përafrimin me vlerat demokratike, për angazhimin humanitar para luftës dhe gjatë luftës çlirimtare për të gjithë të plagosurit, në veçanti ushtarët e plagosur të UÇK-së”, ka shkruar ai.

Kryetari theksoi se dhënia e këtij titulli, është një privilegj për ta dhe potencoi se është i merituar.

“Në duart tuaja, shumë pacientë i hapën sytë pas operacioneve dhe anestezionit. Ju i trajtuat të plagosurit tanë, ju ofruat shërim, shpresë e besim për të gjithë të plagosurit, në veçanti ata që vinin nga vijat e frontit”, tha Lladrovci.

Ndërsa Begaj, përmes një postimi në Facebook, tha se historia e Drenasit është një histori krenarie, guximi e patriotizmi.

“Kontributi i trimave të saj për çlirimin e Kosovës është i pashlyeshëm. Ne, si shqiptarë kemi treguar se të bashkuar dhe me vendosmëri, mund të përballojmë çdo sfidë dhe të dalim fitimtarë”, shkroi ai.

Ndryshe, më 23 qershor, Komuna e Deçanit nderoi presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, duke i dedikuar titullin “Qytetar nderi i Deçanit”, ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, theksoi se është i nderuar nga vizita e Begajt në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.

Bajram Begaj u shpall “Qytetar Nderi”, në një seancë solemne të Kuvendit Komunal të Drenasit.