Shqipëria

Begaj pritet në Berlin nga Steinmeier: Mora garanci për integrimin në BE


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot në Republikën Federale të Gjermanisë  një vizitë zyrtare me ftesë të homologut të tij, Frank- Walter Steinmeier.

Të dy presidentët patën fillimisht një takim kokë më kokë.

Bashkëpunimi dypalësh, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet në rajon, zbatimi i agjendës së Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor si dhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes ishin në fokus të bisedës mes Begaj dhe Steinmeier.

Begaj falënderoi homologun e tij gjerman për pritjen e rezervuar si një mundësi për vazhdimin e  diskutimit të nisur gjatë vizitës së presidentit Steinmeier në Tiranë në dhjetor 2022, si edhe për çështje për të cilat është arritur mbështetje dhe mirëkuptim.

Ky takim sipas presidentit Begaj është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik midis dy vendeve, si dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë mike ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Presidenti Begaj i përcolli Presidentit Steinmeier falënderime për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve aleate në NATO e që ndajnë vlera të përbashkëta evropiane.

“Për këtë kontribuojnë edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani apo bizneset gjermane që janë prezentë në Shqipëri”, u shpreh presidenti Begaj.

Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit mori mbështetjen dhe garancinë e plotë që Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me këtë rast i shprehu Presidentit Steinmeier vlerësimin e sinqertë për mbështetjen e zëshme politike dhe publike, si dhe asistencën e ndihmën e ofruar në këtë drejtim.

Për sa i përket zhvillimeve në rajon presidenti Begaj u shpreh se roli dhe angazhimi i Gjermanisë mbetet i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në mënyrë që sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor të mos  ndikojnë apo komprometojnë të ardhmen auto-atlantike.

Në këtë kontekst me luftën në Ukrainë dhe ndikimin e aktorëve të tretë Begaj vlerësoi se duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal , ku e ardhmja evropiane do të jetë udhërrëfyesi për të ardhmen e përbashkët në paqe, siguri dhe prosperitet.

Procesin e Berlinit, sipas presidentit Begaj mbetet një mekanizëm inovativ dhe i patjetërsueshëm për forcimin e këtij bashkëpunimit, integrimin ekonomik të rajonit dhe po ashtu integrimin me tregun e vetëm evropian, si dhe një shtysë e fuqishme për procesin e integrimit në BE.

Begaj i rikonfirmoi presidentit gjerman përkushtimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Shqipërisë për këtë iniciativë dhe angazhimin e Gjermanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore