Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pohuar se qëndrimi i ambasadorëve shqiptarë në selitë e huaja diplomatike, është zgjatur përtej kohës që parashikon ligji i Shërbimit të Jashtëm në Republikën e Shqipërisë.
Por, megjithatë, pavarësisht kësaj, do të duhen edhe deri në gjashtë muaj të tjerë, për t’i zëvendësuar ata.
Kështu ka thënë ai, i ftuar në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, ku ka folur edhe për aspekte të tjera, si emërimi i kreut të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror apo delimitimin detar me Greqinë, çështje kjo, e cila do të shkojë në gjykatën e Hague-ës.
Lidhur me ambasadorët, Begaj shtjellon se procedurat ligjore do të ndiqen rreptësishtë në këtë proces.
Po ashtu, se është në konsultime të vijueshme me kryeministrin e vendit, Edi Rama, lidhur me emrat e mundshëm, të cilët mund të zëvendësojnë ambasadorët aktualë.
I njëjti proces ndërkaq ndjek edhe për kreun e ri të SHISH, ku pavarësisht se ka pasur bisedime për zëvendësuesin e Helidon Bendos në këtë post, një emër konkret në tryezën e Begajt, ende nuk ka.
“Nuk kam një emër konkret në tavolinë. Përzgjedhja e emrit do të bëhet në bazë të meritave individuale, kapaciteteve profesionale dhe integritetit njerëzor. Jemi në proces”, shtoi më tej kreu i shtetit.
Presidenti liron nga detyra drejtorin e SHISH-it, Helidon Bendo
Sa i përket delimitimit detar me Greqinë, mbi çdo kërkesë që do të vijë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në tryezën e Begajt, ai ka premtuar se do të shprehet lidhur me çështjen konform kërkesës, duke zbatuar Kushtetutën.
Por, sërish, edhe mbi këtë aspekt, ende nuk ka një dokument shkresor të dërguar në zyrën e tij, por vetëm informacione, lidhur me konsultimet diplomatike.
Ndërsa, përcaktimin e zonave ekonomike ekskluzive, në mbyllje, e cilësoi si një teknikalitet, për t’u përcaktuar nga ekspertët dhe grupet teknike, të cilat do të ngrihen për çështjen në fjalë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com