Shqipëria

Begaj për 24-vjetorin e çlirimit: “Nderim heronjve të UÇK-së dhe mirënjohje SHBA-NATO’s”


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Kosovën për 24-vjetorin e çlirimit duke kujtuar rolin e partnerëve strategjikë SHBA-NATO.

“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë! Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe NATO!”, shkruan kreu i shtetit në median sociale “Twitter”.

Paraprakisht, më 9 qershor u nënshkrua marrëveshja ushtarako-teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe, kurse më 10 qershor u miratua Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që parashihte një forcë paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.

Kjo rezolutë parashihte tërheqjen e plotë të të gjitha forcave të sigurisë dhe vendosjen e Kosovës nën kontrollin ekskluziv të OKB-së. Tërheqja e plotë serbe nisi atëherë, kurse nisja e zbarkimit të forcave të NATO-s ndodhi menjëherë të nesërmen.

Të hënën e 12 qershorit, festohet 24 vjetori i çlirimit, ditë kjo e cila nuk është festë zyrtare në Kosovë. Ligji për festat zyrtare, 12 qershorin e njeh vetëm si ditë memoriale, madje nuk e njeh as si ditë të çlirimit – kur nisi largimi i çizmes së fundit të ushtarit serb – por si ditë të paqes.

Operacioni Forca Aleate ishte përgjigja ushtarake e NATO-s ndaj krizës së Kosovës të vitit 1999 dhe operacioni i parë i madh luftarak në historinë e NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore