Shqipëria

Begaj mori “bekimin” e komandantit të NATO-s


Data shënonte 25 maj dhe kryeministri shqiptar Edi Rama dekoronte me titullin më të lartë komandantin amerikan të NATO-s, Tod Daniel Wolters.

Sipas burimeve të Albanian Post, gjenerali amerikan ishte pikërisht figura kryesore që influencoi për një zgjedhje me profil ushtarak në krye të shtetit shqiptar.

“Ju kryeministër jeni mishërimi më i madh i kësaj udhëheqjeje, ju mund të hyni në një sallë drejtuesish të lartë të NATO-s dhe brenda sekondash secili prej tyre kupton se ka një qenie njerëzore unike dhe trajton të gjitha qeniet e tjera me respekt”, theksonte Wolters gjatë fjalës së tij.

Duke kriptuar mesazhet e tij, gjenerali ravijëzoi se pa udhëheqjen njerëzore “mjetet më të mira do të dështonin”.

Gjeneral Majori Bajram Begaj do të bëhet i treti ushtarak i lartë që do të drejtojë presidencën shqiptare pas Alfred Moisiut dhe të ndjerit Bujar Nishani.

Në korrik të vitit 2020, Begaj u betua si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Ai, më parë, shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.

Më 22 gusht të vitit 2017, do të gradohej si gjeneral brigade nga ish-ministrja Mimi Kodheli.

Kjo e fundit e cilësoi si të veçantë këtë gradim, duke u nisur nga fakti që e merr për herë të parë këtë gradë një mjek.

Bajram Begaj

Gjeneral Major Bajram Begaj u lind më 20 mars të vitit 1967, në qytetin e Rrogozhinës.

Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë “Dega Mjekësi e Përgjithshme” në vitin 1989 dhe u titullua oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Begaj gjithashtu ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë’, ndërsa mban edhe titullin ‘Profesor i Asociuar’ në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer: Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Gjeneral Major Begaj mbante postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura (SHSHPFA) është detyra më e lartë ushtarake në FA.

Bajram Begaj spikati për marrëdhëniet e shkëlqyera me partnerët e sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjeneral Majori shqiptar ishte një ndër nismëtarët e stërvitjes së përbashkët me trupat amerikane “Defender21”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore