Shqipëria

Begaj mbledh institucionet e angazhuara me zgjedhjet, sigurimi i standardeve është parësor


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e institucioneve dhe strukturave të angazhuara me zgjedhjet, ku ka theksuar nevojën për të pasur siguri të standardeve më të larta zgjedhore, duke garantuar kështu edhe përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve.

Sipas kreut të shtetit, procesi zgjedhor i 14 majit 2023, ku do të zgjidhen strukturat e reja vendore në 61 bashki, duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë dhe ligj, të jetë i drejtë dhe i paanshëm.

“Mirëadministrimi i zgjedhjeve nga ju, të përmbushi standardet e pacenueshme demokratike. Eksperiencat e mëparshme na kanë përballur jo rrallëherë me fenomene negative”, theksoi presidenti gjatë fjalës së tij.

Ndërsa, mbi reagimin e institucioneve, ai e ka përshkruar si jo gjithmonë të suksesshëm.

Megjithatë, kuadri i sotëm ligjor i zgjedhjeve është më i plotë dhe instrumentet mbrojtëse, janë më të avancuara.

“Shit-blerja e votës, keqpërdorimi i burimeve shtetërore janë të patolerueshme”, vijoi më tej ai. “Financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, manipulimi zgjedhor janë të patolerueshme”.

Një kërkesë shkoi ndaj subjekteve politike, për të mos e denigruar njëri-tjetrin gjatë fushatës dhe ta organizojnë atë me etikë dhe qytetari.

Teksa, mbi rolin e medias, presidenti ravijëzoi se është një aktor i rëndësishëm për garantimin e një procesi zgjedhor sa më të lirë.

Rol vendimtar ky proces, luan edhe për vijimësinë në rrugën e anëtarësimit evropian.

Ndërsa, për gjithë shqiptarët, mesazhi i Begajt, ishte ai i ushtrimit të vullnetit të votës, në mënyrë krejt të lirë, pa u ndikuar apo shantazhuar nga askush.

“Zgjedhjet nuk janë të partive politike, por  janë për qytetarët shqiptarë, janë për Shqipërinë”, përmbylli ai mesazhin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore