Lajme

BE zbulon planin gjithëpërfshirës të ndryshimit të klimës


Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar krijimin e një sërë legjislacionesh për ndryshimin e klimës, që synon ta shtyjë atë drejt qëllimit për t’u bërë neutral i karbonit deri në vitin 2050.

Një duzinë projekt-propozimesh, të cilat pritet tё miratohen nga 27 vendet anëtare të bllokut dhe parlamenti i BE-sё, u njoftuan të mërkurën e 14 korrikut.

Ato përfshijnë plane për të taksuar karburantin e avionëve dhe ndalimin e shitjes sё makinave me benzinë ​​dhe naftë brenda 20 viteve.

Negociatat e propozimeve, megjithatë, ka të ngjarë të zgjasin me muaj.

Planet flitet tё kenё shkaktuar konflikte serioze në Komisionin Evropian, krahu administrativ i bllokut, ndërsa bëheshin ndryshimet e fundit, sipas burimeve tё agjencisë sё lajmeve AFP.

“Duke vepruar tani mund të zgjedhim mënyrën më të mirë, më të shëndetshme dhe më të begatë për të ardhmen”, tha të mërkurën Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Masat ka të ngjarë të rrisin faturat e ngrohjes së shtëpive, si dhe kostot e fluturimeve në BE. Megjithatё, pёr instalimin e sistemeve tё izolimit dhe ndryshimeve tё tjera afatgjata nё shtёpi do tё ofrohet ndihmё financiare.

“Ne do të kërkojmë shumë nga qytetarët dhe industritë. Po e bёjmё këtë pёr njё arsye tё mirë: pёr t’i dhёnё njerёzimit njё shans pёr tё luftuar pёr tё ardhmen”, tha shefi i politikës së klimës në BE, Frans Timmermans.

Kundërshtime pritet tё vijnё nga disa udhëheqës të industrisë, të tillё si linjat ajrore dhe prodhuesit e automjeteve, si dhe nga vendet anëtare lindore që mbështeten shumë në qymyr.

“Suksesi i paketës do të mbështetet në aftësinë e tij për të qenë realist dhe shoqërisht i drejtë, ndërsa gjithashtu nuk destabilizon ekonominë. Qëllimi është të vendosim ekonominë në një nivel të ri, jo ta ndalojmë atë”, tha njё diplomat i BE-sё.

Masat, të cilat shihen si plani më ambicioz i deritanishëm i BE-së për të trajtuar ndryshimin e klimës, janë quajtur paketa Fit për 55.

Qёllimi i tyre ёshtё tё vendosin bllokun në rrugën e duhur për të përmbushur planin e tij të vitit 2030, për t’i ulur emetimet me 55% nga nivelet e vitit 1990.

Deri në vitin 2019, BE-ja kishte ulur emetimet e saj me 24% nga nivelet e vitit 1990.

Disa nga propozimet kryesore janё:

Vendosja e kufizimeve më të rrepta për makinat, pёrmes sё cilave pritet të përfundojnë në mënyrë efektive shitjet e reja të automjeteve me benzinë ​​dhe naftë deri në vitin 2035.

Një taksë mbi karburantin e aviacionit, sё bashku me 10 vjet pushim nga taksat për alternativat me karbon të ulët.

Një tё ashtuquajtur tarifë karboni, e cila do të kërkojë që prodhuesit nga jashtë BE-sё të paguajnë më shumë për importimin e materialeve, si çeliku dhe betoni.

Synime më ambicioze për zgjerimin e energjisë së rinovueshme rreth bllokut.

Një kërkesë për vendet, të të rinovojnë sa më shpejt ndërtesat që nuk vlerësohen me efikasitet energjetik.

Në shtator Komisioni i BE-sё përcaktoi projektin e tij për arritjen e reduktimit nё 55% deri në vitin 2030 dhe tha se të paktën 30% e buxhetit afatgjatë të BE-së, 1.8 trilionё dollarё do të shpenzohej për masat e lidhura me klimën.

Synimet janë pjesë e një përpjekjeje globale për të trajtuar ndryshimet e klimës, duke shkurtuar ndotjen atmosferike, veçanërisht emetimet e dyoksidit të karbonit.

Marrëveshja e klimës në Paris, e nënshkruar në vitin 2016, synon të mbajë rritjen globale të temperaturës nën 2 gradё Celsius për të parandaluar efektet më të këqija të ndryshimit të klimës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore