
Nga ana e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, është kërkuar që të drejtat për lirinë e ushtrimit të protestës, të respektohen më 6 dhjetor në Shqipëri, ditë kjo kur pritet të mbahet Samiti mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Tiranë.
Më herët, ishte Policia e Tiranës, ajo e cila bëri me dije përmes një komunikate për shtyp, se kërkesa e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për të organizuar një tubim më 6 dhjetor përballë Kryeministrisë, ishte refuzuar.
Arsyet për këtë refuzim, të dhëna nga strukturat kryeqytetase të rendit, ishin çështjet e sigurisë, për organizimin e Samitit.
Mirëpo, për BE-në, ashtu si duhet garantuar siguria e krerëve evropianë në Samit, duhet garantuar edhe liria e qytetarëve për të protestuar.
Në një përgjigje për median A2CNN, delegacioni i BE-së ka reaguar mbi situatën.
“Kjo është hera e parë që samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në rajon, duke i dërguar një mesazh të fortë Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor për rëndësinë e tyre gjeostrategjike për BE-në. Ne kemi besim se, si mikpritës, autoritetet publike shqiptare do të sigurojnë zhvillimin e sigurt dhe të rregullt të samitit, duke respektuar ushtrimin e ligjshëm të lirive nga qytetarët”.
Kështu thuhet në reagimin e tyre.
Vendimi i Policisë
Policia e Tiranës nuk e ka pranuar kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për të zhvilluar një tubim demonstrativ më 6 dhjetor 2022, ditë e cila përkon me zhvillimin e Samitit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, në Tiranë, për të parën herë në histori.
Sipas një shkrese që Policia e kryeqytetit i ka dërguar Partisë Demokratike, bëhet me dije se ka një perimetër sigurie tepër rigoroz me rastin e zhvillimit të Samitit.
Ndaj, për këtë arsye, protesta, e parashikuar të zhvillohet përpara Kryeministrisë, nuk mund të miratohet.
Ndërsa, në një perimetër të jashtëm, përtej atij të caktuar për sigurinë e Samitit, strukturat policore janë të gatshme të ndihmojnë në mbarëvajtjen e çdo organizimi të ngjashëm me tubimin e kërkuar.
Në bazë të komunikatës, perimetri është i vendosur në disa akse kryeqytetase.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në Bulevardin “Bajram Curri” përfshirë sheshin “Nënë Tereza”.
Rruga “Gjergj Filipi” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rrugova” deri tek kryqëzimi me rrugën “Papa Gjon Pali II”.
Rruga ” Lek Dukagjini” në gjithë gjatësinë e saj.
Rruga “Dervish Hima”, rruga “Sheh Ahmet Pazar”, rruga “Faik Konica”, rruga “Skerdilajd Llagar.
Rruga “Papa Gjon Pali II” në gjithë gjatësinë e saj, rruga Asim Zeneli, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Mustafa Matohiti”, rruga “Jul Variboba”, rruga Fatmir Haxhiu”.
Rruga “Ismail Qemali”, nga rruga e “Elbasanit” deri në kryqëzimin me rrugën “Ibrahim Rrugova”.
Nuk bëhet me dije se si do të operohet me kalimin ose ndalimin e qytetarëve në këto pjesë të kryeqytetit, por qarkullimi i automjeteve do të jetë i bllokuar në këtë shtrirje, siç lihet të nënkuptohet nga forcat blu.
Vetë Berisha më parë, i ka bërë thirrje qytetarëve, të bëhen pjesë e demonstratës.
“Thirrja ime për çdo shqiptar është të dalim atë ditë të protestojmë për të dëshmuar përkushtimin tonë jetik ndaj vlerave europiane, vlera të cilat në këto 8 vite kanë bjerrur, janë deformuar dhe deri diku zhdukur nga regjimi i narkoshtetit. Ftoj nxënësit e shkollave dhe studentët që këtë vit t’ia kushtojnë të ardhmes së tyre evropiane në 6 dhjetor ora 12:00”.
Mirëpo, përpara Kryeministrisë, kjo gjë nuk do të ndodhë.
Teksa, vendim për organizim tjetër nga opozita, ende nuk ka.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Qëllohet me armë godina e Top Channel, humb jetën një punonjës
-
Partia Demokratike zyrtarizon Roland Bejkon si kandidat për Tiranën
-
Pas një konflikti babë e bir qëllojnë me armë drejt një makine, shoferi humb kontrollin
-
Amnistia për shqiptarët në Angli, sekretarja britanike e mirëpret me interes propozimin