Lajme

BE ngre spektrin e luftës tregtare nëse Britania rishkruan protokollin e Irlandës së Veriut


Komisioni Evropian ka ngritur spektrin e një lufte tregtare të dëmshme ekonomikisht me Mbretërinë e Bashkuar, duke u zotuar të përgjigjet me “të gjitha masat në dispozicion” nëse Liz Truss vazhdon përpara me planin për të rishkruar protokollin e Irlandës së Veriut.

Sekretarja e Jashtme e Britanisë, të martën, paraqiti planet e një projekt-ligji që do të bënte ndryshime kyçe në protokoll, duke përfshirë heqjen e të gjitha kontrolleve për mallrat që vijnë nga Britania e Madhe në Irlandën e Veriut, të cilat nuk janë të destinuara për në Republikën e Irlandës.

Ajo tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ende shpresonte të pajtohej me ndryshimet që beson se janë të nevojshme, duke i quajtur këto “gjithëpërfshirëse dhe të arsyeshme”.

“Preferenca jonë është të arrijmë një rezultat të negociuar me BE-në. Ne kemi punuar pa u lodhur për këtë qëllim dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Truss.

Por ajo pretendoi se protokolli në formën e tij aktuale rrezikonte stabilitetin e marrëveshjes së të Premtes së Mirë, për të cilën ajo tha se ishte “nën tendosje” dhe qeveria do të vepronte edhe në mënyrë të njëanshme nëse ishte e nevojshme.

Një pjesë e motivimit të qeverisë është të qetësojë Partinë Unioniste Demokratike (DUP) e Irlandës së Veriut, e cila po refuzon të hyjë në një qeveri për ndarjen e pushtetit me Sinn Féin në Stormont, nëse protokolli nuk ndryshohet.

Udhëheqësi i DUP-it, Jeffrey Donaldson, tha se deklarata e Truss ishte “një hap i mirëpritur, ndonëse i vonuar. Një lëvizje domethënëse drejt adresimit të problemeve të krijuara nga protokolli dhe kthimit në funksionim të ndarjes së pushtetit, bazuar në një konsensus ndërkomunitar”.

Të martën mbrëma, përfaqësuesi i Berlinit në Bruksel, Sebastian Fischer shprehu tronditjen që Mbretëria e Bashkuar po hartonte ligje për të moszbatuar një traktat në një kohë kur perëndimi po akuzon Vladimir Putin për krime ndërkombëtare.

Maroš Šefčovič, një nënkryetar i Komisionit Evropian i cili ka udhëhequr bisedimet për ndryshimet në protokoll, tha se propozimet e Truss ngritën “shqetësime të rëndësishme”, duke shtuar se “veprimet e njëanshme që kundërshtojnë një marrëveshje ndërkombëtare nuk janë të pranueshme”.

BE-ja mund të godasë mallrat e Mbretërisë së Bashkuar me tarifa brenda shtatë ditëve pas veprimit ligjor ose të ngrijë të gjithë marrëveshjen tregtare të rënë dakord me Boris Johnson në vitin 2020.

Truss tha se legjislacioni i ri do të publikohet brenda javësh, duke përfshirë planet për të krijuar një “kanal të gjelbër” që lejon që mallrat të eksportohen nga Britania e Madhe në Irlandën e Veriut pa kontrolle për sa kohë që ato nuk janë të destinuara për në Republikën e Irlandës.

Legjislacioni do t’i lejonte gjithashtu Mbretërisë së Bashkuar të përcaktojë taksat dhe shpenzimet në Irlandën e Veriut. Truss vuri në dukje vendimin e fundit të kancelares për të ulur TVSH-në në instalimet e energjisë së gjelbër, të cilën ajo tha se ai nuk ishte në gjendje ta zbatonte në Irlandën e Veriut.

Richard Neal, kryesuesi me ndikim i një komiteti të Kongresit të SHBA, i cili do të shkojë në Londër dhe Bruksel në ditët në vijim në një përpjekje për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve anglo-irlandeze, tha se “Irlanda e Veriut nuk duhet të mbahet peng në procesin politik, përkundrazi të gjitha palët duhet të qëndrojnë në kurs dhe të vazhdojnë të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme”.

Neal drejton një delegacion prej të paktën gjysmë duzine përfaqësuesish të Kongresit të SHBA në Evropë, mes tensioneve në rritje mbi protokollin e Irlandës së Veriut. Udhëtimi i tij do të zhvillohet në Londër, Bruksel, Dublin dhe Belfast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore