Shqipëria

BE mbështetje Shqipërisë për ngritjen e rrjetit hekurudhor, kosto për dy segmentet 420 mln euro


Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përmirësojnë linjat ekzistuese hekurudhore, duke ndërtuar hallkat që mungojnë përgjatë Korridorit VIII për të hequr pengesat, për të shkurtuar distancat fizike, për të rritur lidhjen dhe për të zhvendosur më shumë pasagjerë dhe mallrave në mënyra të qëndrueshme të transportit.

Kjo, me ndihmën financiare të BE-së për përgatitjen e projekteve dhe bashkëfinancimin e investimeve sipas Planit Ekonomik dhe Investiv.

“Reforma dhe masa po shoqërojnë këto investime për të përmirësuar konkurrueshmërinë e sektorit hekurudhor”, thuhet në një njoftim të publikuar ditët e fundit në faqen e WBIF-së (Instrumenti i Investimeve Për Ballkanin Perëndimor), një platformë investimi me shumë donatorë e udhëhequr nga BE-ja dhe mekanizmi kryesor financiar për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve në fushat e infrastrukturës publike dhe konkurrencës së sektorit privat.

Korridori VIII hekurudhor formon lidhjen e brendshme Lindje-Perëndim midis Detit të Zi dhe Detit Jon, duke kaluar përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kosto totale e hekurudhës nga Durrësi deri në Bullgari është përllogaritur në rreth 2 miliardë euro, nga të cilat rreth 0.4 miliardë euro do të investohen në dy segmentet e hekurudhore shqiptare, atë Durrës-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Kufiri me Maqedoninë e Veriut.

Segmenti tjetër hekurudhor Rrogozhinë-Kufiri me Maqedoninë e Veriut pjesë e Korridorit VIII parashikon rehabilitimin e të gjithë linjës hekurudhore prej 120.3 km nga Rrogozhina deri në Lin dhe ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore me gjatësi 2.8 km nga Lini në Kufirin me Maqedoninë e Veriut. Kosto llogaritet afërsisht 356 milionë euro.

Në dhjetor të vitit të shkuar Komisioni Evropian akordoi një grant prej 62 milionë eurosh për segmentin hekurudhor Durrës-Rrogozhinë. Vlera totale e këtij investimi të rëndësishëm infrastrukturor është parashikuar të jetë 120.5 milionë euro.

Segmenti hekurudhor Durrës-Rrogozhinë është pjesë e linjës hekurudhore Durrës – Pogradec, e cila parashikohet të lidhet me Maqedoninë e Veriut (në fshatin Lin).

Projekti përfshin zgjerimin e trasesë nga Shkozeti në Rrogozhinë, në një gjatësi prej 33.1 km, si dhe ndërtimin e urave të reja në përputhje me standardet evropiane dhe kushtet gjeologjike-inxhinierike e sizmologjike të zonës së projektit.

Po ashtu parashikohet përmirësimi i trupit të trasesë, ngritja e ndërtesave të reja të stacioneve në Golem, Kavajë, Lekaj e Rrogozhinë, si dhe rehabilitimin e trekëndëshit të Shkozetit.

Kujtojmë gjithashtu se projekti i rindërtimit të hekurudhave financohet nga BERZH, me një hua prej 36.9 milionë euro, dhe nga Bashkimi Evropian (BE), me një grant investimi deri në 35.5 milionë euro në kuadër të Agjendës së Lidhshmërisë për Ballkanin Perëndimor.

Një shtesë prej 2.75 milionë euro grante nga donatorët dypalësh janë siguruar përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Përveç rindërtimit të lidhjes mes Tiranës dhe Durrësit, si pjesë e këtij projekti do të ndërtohet edhe një lidhje e re hekurudhore prej 5 kilometrash ndërmjet qendrës së qytetit të Tiranës dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.

Linja hekurudhore është pjesë e shtrirjes së rrjetit kryesor të politikës së Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në Ballkanin Perëndimor, dhe lidhja e vetme ndërkombëtare, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

Këto projekte janë ndër prioritetet kryesore të BERZH-it, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin.

Deri më tani BERZH ka investuar më shumë se 1 miliard euro në projekte hekurudhore në të gjithë rajonin, shumica e tyre të bashkëfinancuara me grante të rëndësishme të BE-së.

Po ashtu po punohet për rindërtimin e hekurudhave në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Investimet në infrastrukturë në një shkallë kaq të madhe kërkojnë vite për t’u përgatitur dhe përfunduar, por ato sjellin përfitime të konsiderueshme afatgjata.

Kalimi nga udhëtimi rrugor në hekurudhor, i cili është më i sigurt dhe më miqësor ndaj mjedisit, do ta bëjë udhëtimin në të gjithë rajonin më të lehtë dhe më të rehatshëm për njerëzit dhe bizneset.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore