Kosova

BE: Masat ndaj Kosovës edhe mund të shtohen


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka paralajmëruar të enjten në një konferencë për shtyp se mund të rëndohen masat ndëshkuese të vendosura kundër Kosovës një vit më parë për shkak të “veprimeve të pakoordinuara” të lidershipit kosovar në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë inciativën për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Stano ka theksuar po ashtu se për shkak të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, anëtarët e BE-së nuk kanë vepruar në bazë të raportit të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili para disa javësh ka rekomanduar largimin e masave ndëshkuese kundër Kosovës.

“Ne e kemi thënë atëherë se masat mund të shtohen ose të hiqen varësisht zhvillimeve të situatës. Pra, çfarë do të bëjmë? Ne kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të shtohen nëse akterët evropianë pajtohen se ato duhet të shtohen”, ka paralajmëruar Stano, derisa ka shtuar se për ndërmarrjen potenciale të masave shtesë është njoftuar edhe Qeveria e Kosovës.

“Ua kemi bërë të qartë qëndrimin tonë, në shumë nivele, në shumë mënyra dhe përmes shumë partnerëve… Ne shpresojmë se ata do ta dëgjojnë mesazhin dhe do të ndalojnë BE-në të marrë në konsideratë se çfarë masa do të konsiderojë të marrë nëse situata nuk ndryshon”, ka shtuar mes tjerash ai.

Autorietet e Kosovës kanë mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të territorit kosovar, të cilat vepronin ilegalisht në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – krahas inciativës dhe këmbënguljes për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

BE-ja pothuajse vazhdimisht e ka qortuar ekzekutivin kosovar për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit. Zyrtarë të BE-së kanë paralajmëruar edhe më herët se veprimet e fundit të autoriteteve mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura më shumë se një vit më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore