Lajme

BE-ja thotë se s’dinë kur do të mbahet takimi i radhës në Bruksel


Besnik Bislimi, Petar Petkoviç dhe Miroslav Lajçak.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, ka thënë se akoma s’kanë informacione se kur do të mbahet takimi i ardhshëm në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Massrali, në një konferencë për media të hënën u pyet se a pret të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit, por ajo u përgjigj duke thënë se “s’mund të komentoj asgjë”.

“Krejt çka mundem të them është se kur te kemi një takim për ta bërë të ditur, ne do ta bëjmë atë, por në këtë pikë nuk mundem të them asgjë”, ka thënë Massrali.

Më 4 prill është mbajtur takimi i fundit mes kryenegociatorëve të Prishtinës dhe Beogradi, ku është diskutuar për çështjen e dinarit dhe nuk kanë arritur të zgjidhje apo marrëveshje.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali.

Takimi i fundit ishte mbajtur me 4 prill në Bruksel mes kryengociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij serb Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e të Dërguarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Ky takim kishte ardhur pasi që dy paraprakët kishin rezultuar të pasuksesshëm.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është koordinuar me ta për çështjen e dinarit, madje kanë thënë se ky vendim ka cenuar raportet në mes të dy shteteve respektive.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-sё, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb në territorin kosovar, duke specifikuar se valuta e vetme ligjore që lejohet për transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari serb nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

BQK-ja njoftoi se rregullorja e re do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore