Lajme

BE-ja rrezikon ta humbasë kredibilitetin – kërkohet zgjidhje, jo menaxhim krize


Ilustrim

Në vend se të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), sërish është kthyer në një mjet për menaxhimin e krizave, posaçërisht pas përplasjeve të fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbi ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar.

Eksperti i Politikës së Jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC), Toby Vogel, vlerëson se procesi i dialogut Prishtinë-Beograd nën kujdesin e BE-së, tani vijëzohet pak nga pak, duke ndërruar drejtim si përgjigje ndaj krizave të reja, në vend që të përqendrohet në një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative.

Megjithatë, ai konsideron se ndryshe nga vështirësitë që karakterizuan procesin përgjatë muajve të fundit, përfshirë krizat e vazhdueshme që u shkaktuan kryesisht nga pala serbe, një pjesë të përgjegjësisë që dialogu tani është në zgrip të kolapsit duhet ta mbajë pala kosovare, veçanërisht pas insistimit që të mos tërhiqet nga vendimi për ndalimin e dinarit serb.

“Dialogu edhe një herë përdoret si një mjet për menaxhimin e krizave në vend që të fokusohet në një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve – përveçse këtë herë, kriza në fjalë nuk është e Beogradit, por e Prishtinës. Duket qartë se asnjëra palë s’ka besim në dialog, i cili duket krejtësisht i bllokuar”.

Për shkak të mungesës së progresit real në procesin e dialogut, pavarësisht se Kosova dhe Serbia arritën një “marrëveshje historike” vitin e kaluar, një vendim i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb nё vend, shtroi shtresa të reja në rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Në një rezolutë që miratoi të enjten Parlamenti Evropian (PE) mbi rezultatet e politikës së jashtme dhe të sigurisë, paralajmërohet se kredibiliteti i BE-së mund të dëmtohet seriozisht në rast të mungesës së progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis dy fqinjëve të Ballkanit Perëndimor – proces që ndërmjetësohet mes cikleve nga blloku evropian prej vitit 2011.

“Ne i bëjmë thirrje BE-së që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngërçi aktual. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, alarmuan të enjten eurodeputetët, ndërsa gjithashtu kërkuan nga Kosova dhe Serbia të shmangin retorikën nxitëse.

Por asnjë lëvizje thelbësore në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk mund të pritet këtë vit, konsideron Vogel ndër të tjera, duke pasur parasysh se kryeministri kosovar, Albin Kurti, refuzon zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, përveç në kontekstin e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje de facto.

Në këtë drejtim, shton një prej vëshguesve më të njohur të zhvillimeve politike në rajon, procesi i dialogut Kosovë-Serbi pritet të matet edhe në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara (SHBA) në nëntor. Ai nënvizon se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shpreson se zgjedhjet do të prodhojnë politika që do t’i përshtaten Serbisë në dialog.

“E kam të vështirë të shoh shumë lëvizje këtë vit duke pasur parasysh se Vuçiç mund të shpresojë për një fitore të [Donald] Trump në nëntor, ndërsa Kurti nuk dëshiron të zbatojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe përveç në kontekstin e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje de facto”, u shpreh Vogel, duke paralajmëruar zvarritje të procesit edhe për një kohë.

Për shkak të mungesës së progresit në procesin e dialogut, duket sikur Kosova dhe Serbia nuk do t’i kapërcejnë kurrë mosmarrëveshjet. Vogel parasheh që procesi i dialogut të çalojë derisa Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd – Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak – të largohen nga detyra.

“Ajo që duhet të ndodhë në vend të kësaj është që BE-ja të rishikojë politikat për të përcaktuar arsyet pse dështoi dialogu. Përderisa personalitetet luajnë një rol të caktuar, problemet kryesore janë të një natyre më strukturore dhe kanë të bëjnë me stimujt për Prishtinën dhe Beogradin”, nënvizon Vogel, i cili është ekspert në fushën e paqes, konfliktit dhe politikës së jashtme.

Në mënyrë që procesi i dialogut të lëvizë drejt rezultateve, ai deklaron që masat ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj Kosovës në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të vendit, duhet të hiqen sa më parë dhe sëkëndejmi, blloku duhet të rimendojë formatin e dialogut sapo Borrell dhe Lajçak të përfundojnë mandatin.

Ndryshe, dialogu pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve planifikohej të arrihej në kryeqytetet evropiane në fund të ’23-ës, por ngjarjet e fundit, përveç se dëshmuan për brishtësinë e paqes rajonale, treguan gjithashtu se nuk është arritur asnjë progres konkret drejt normalizimit të marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

Kjo atmosferë e nxehtë në marrëdhëniet midis dy vendeve tashmë është bërë normë dhe pritet të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2024. E zgjerimi i harkut të krizës që shtrihet nga lufta në Ukrainë e deri te konflikti në Lindje të Mesme, ndikoi po ashtu në ecurinë e procesit dialogut, duke e gjetur veten nën hijen e sfidave më të rëndësishme të sigurisë për bashkësinë ndërkombëtare.

Përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë tutje, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet apo Kosova dhe Serbia do të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore