Kosova

BE-ja paralajmëron se raporti i Borrellit për heqjen e masave mund të mbetet nën hije pas veprimeve të Kosovës


Peter Stano

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka paralajmëruar të enjten në një konferencë për shtyp se mund të rëndohen masat ndëshkuese të vendosura kundër Kosovës një vit më parë për shkak të “veprimeve të pakoordinuara” të lidershipit kosovar në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë inciativën për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Stano ka theksuar po ashtu se për shkak të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, anëtarët e BE-së nuk kanë vepruar në bazë të raportit të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili ka rekomanduar largimin e masave ndëshkuese kundër Kosovës javë më parë.

“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëherë kemi thënë që masat janë progresive, pra mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimet. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse pajtohen të gjithë akterët e BE-së”.

“Praktikisht të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë duke i thënë administratës në Prishtinë të mos angazhohet në këtë cikël hapash të pakoordinuar e negativë. Shpresoj që ata në fund do të dëgjojnë mesazhin tonë dhe të na ndalojnë së shqyrtuari se çfarë masash ne do të vendosnim në përgjigje [ndaj Kosovës] nëse situata nuk ndryshon”, ka shtuar ai.

Autorietet e Kosovës kanë mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të territorit kosovar, të cilat vepronin ilegalisht në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – krahas inciativës dhe këmbënguljes për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

BE-ja pothuajse vazhdimisht e ka qortuar ekzekutivin kosovar për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit. Zyrtarë të BE-së kanë paralajmëruar edhe më herët se veprimet e fundit të autoriteteve mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura më shumë se një vit më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore