Kosova

BE-ja pa përgjigje zyrtare nga Ministria e Drejtësisë për refuzimin që ia bëri Serbisë për provat për Radojiçiç-in   


Ilustrim

Bashkimi Evropian nuk ka marrë ende zyrtarisht asnjë përgjigje nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për refuzimin që ky dikaster ia bëri kërkesës së Serbisë për bashkëpunim juridik në raport me sulmin terrorist të Banjës – konkretisht për provat ndaj kryeterroristit, Milan Radojiçiç.

“Deri më sot, Zyra e BE-së/Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë nuk ka marrë zyrtarisht asnjë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë së Kosovë në lidhje me rastin që përfshin Radojiçiç”, i tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, Albanian Post-it në një përgjigje me shkrim.

Qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën e Serbisë drejtuar autoriteteve kosovare për bashkëpunim juridik rreth rastit të sulmit të armatosur të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit dhe dhënien e provave për kryeterroristin serb, Milan Radojiçiç, ndaj të cilit ekziston edhe një fletarrest ndërkombëtar.

Këtë refuzim Ministria e Drejtësisë e arsyetoi duke thënë se kjo kërkesë është në kundërshtim me ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale.

Duke marrë për bazë deklaratat për media të Ministrisë së Drejtësisë, Stano tha se Zyra e BE-së në Kosovë po e pret një përgjigje zyrtare nga ky dikaster, të cilën “do ta shqyrtojë” më pas.

Stano ndërsa sqaroi se Zyra e BE-së në Kosovë lehtëson “transmetimin e kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe vendeve që nuk e njohin atë, përfshirë Serbinë”, tha se Kosova, nëpërmjet Zyrës së BE-së në Kosovë në tetorin e vitit të kaluar ia ka dërguar Serbisë një kërkesë për ndihmë juridike “për të marrë prova dhe dokumente në lidhje me procedurën penale kundër Radojiçiç”.

“Deri më sot, asnjë përgjigje nuk është marrë”, pohoi ai.

Po ashtu, sipas Stanos, në tetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, ia ka kërkuar Zyrës së BE-së në Kosovë “që t’i transmetojë një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike Sarajevës për të marrë prova, dokumente dhe informacione në rastin që përfshin Radojiçiç-in”.

“Prokuroria përkatëse e Bosnjë-Hercegovinës tashmë i është përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe Zyra e BE-së në Kosovë ua ka përcjellë përgjigjen autoriteteve të Kosovës”, shtoi Stano për AP.

Çka kishte ndodhur në Banjë të Zveçanit?

Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit të vitit të kaluar, një grup terroristësh serbë, të prirë nga kryekrimenli Milan Radojiçiç, kishin sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe.

Nga ky sulm, kishte mbetur i vrarë rreshteri, tanimë i shpallur hero nga institucionet kosovare, Afrim Bunjaku.

Kosova, për këtë sulm, e kishte akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa, duke qenë se terroristët, posaçërisht kreu i tyre Radojiçiç ka lidhje të ngushta dhe është njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar fare nga ky akt terrorist, madje ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndërsa, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar njëzëri në termat më të ashpër këtë akt, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore