Shqipëria

BBC: Virgjëreshat e fundit “të betuara” të Shqipërisë


Vetëm një duzinë “virgjëreshash të betuara” kanë mbetur në botë, si një traditë e lashtë ballkanike ku gratë jetojnë ndërsa burrat vdesin.

Kështu e nis raportimin e saj multimediali britanik “BBC” në malet veriore të Shqipërisë.

“Shqipëria ishte një botë burrash, e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte të bëheshe e tillë”, thotë Gjystina Grishaj.

Si një grua 23-vjeçare që jetonte në malet e veriut të Shqipërisë, ajo mori një vendim që do t’i ndryshonte jetën.

Ajo u betua për beqari dhe premtoi se do të jetonte pjesën tjetër të jetës si burrë.

Familja e Gjystinës prej më shumë se një shekulli jeton në rajonin e Malësisë së Madhe në Lëpushë.

Një luginë e futur thellë midis maleve të thepisura, është një nga zonat e pakta ku ekziston ende tradita e burrneshës: një praktikë shekullore në të cilën gratë betohen pleqve të fshatit dhe jetojnë si burra.

Këto gra njihen si burrnesha, ose “virgjëresha të përbetuara”.

“Ka shumë të pamartuar në botë, por nuk janë burrneshat. Një burrneshë i përkushtohet vetëm familjes, punës, jetës, për të ruajtur pastërtinë e saj”, thotë Gjystina, tashmë 57 vjeç.

Për shumë gra të lindura në kohët e mëparshme, shkëmbimi i identitetit të tyre seksual, riprodhues dhe social ishte një mënyrë për të shijuar liritë që vetëm burrat mund t’i përjetonin.

Bërja burrneshë i lejonte grave të visheshin si burra, të vepronin si kryefamiljare, të lëviznin lirshëm në situata sociale dhe të merrnin përsipër punë tradicionalisht të hapura vetëm për burrat.

Si një e re sportive, aktive, Gjystina – ose Duni, siç njihet nga njerëzit më të afërt – ishte e vendosur të ishte e pavarur.

Ajo kurrë nuk e imagjinonte një jetë tradicionale për veten e saj të martesës, punëve të shtëpisë, veshjes së fustaneve.

Në vend të kësaj, pas vdekjes së babait të saj, ajo vendosi të bëhej një virgjëreshë e betuar, në mënyrë që të drejtonte familjen dhe të mund të merrte përsipër punë për t’i mbështetur financiarisht.

“Ishim jashtëzakonisht të varfër… babai më vdiq, nëna ime kishte gjashtë fëmijë, kështu që për ta bërë më të lehtë për të, vendosa të bëhesha burrneshë dhe të punoja shumë”, thotë ajo.

Ajo drejton një shtëpi për mysafirë, punon tokën dhe kujdeset për kafshët e saj.

Si burrneshë dhe kryefamiljare, ajo ushtron edhe artin e bimëve mjekësore për të bërë çajra dhe vajra shëruese, një aftësi e trashëguar nga babai i saj.

“Ai kujdesej shumë për barërat medicinale dhe mësimet mi përcillte mua. Dhe dua që këtë praktikë ta trashëgojë edhe mbesa ime Valerjana, edhe pse ka zgjedhur një rrugë tjetër”, thotë Duni.

E rritur së bashku me tezen e saj në Lëpushë, Valerjana zbuloi se mundësitë për gratë në këtë zonë ishin minimale, me një pritshmëri për t’u martuar në moshë të re.

“Një moment që më kujtohet gjithmonë kur isha në klasën e gjashtë të shkollës fillore. Një shoqe e imja ishte në klasë të nëntë dhe po fejohej. Ishte vetëm 14 vjeç”, kujton ajo.

Në vend që të martohej e re apo të bëhej e virgjër e përbetuar, Valerjana u largua nga shtëpia e familjes në moshën 16-vjeçare për të studiuar regji teatri dhe fotografi në Tiranë.

“Në Tiranë, vajzat dhe gratë kanë më shumë avantazhe dhe janë më të emancipuara. Ndërsa në fshat situata edhe tani është ende një fatkeqësi”, thotë ajo.

Edhe pse nuk ka shifra të sakta, llogaritet se kanë mbetur vetëm 12 burrnesha në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Që nga rënia e komunizmit në vitet 1990, Shqipëria ka parë ndryshime shoqërore që nënkuptojnë më shumë të drejta për gratë.

Valerjana e sheh si pozitive që tradita e burrneshës po shuhet.

“Sot ne vajzat nuk duhet të luftojmë për t’u bërë burra”, thotë ajo. “Duhet të luftojmë për të drejta të barabarta, por jo duke u bërë burra”.

Sipas “UN Women”, pjesëmarrja e grave në vendimmarrjen politike dhe ekonomike të Shqipërisë ka përparuar kohët e fundit me përmirësime në kodet dhe proceset zgjedhore, edhe pse ajo mbetet ende e kufizuar dhe hendeku i pagave nuk është trajtuar siç duhet.

Deri në vitin 2017, gratë përbënin 23 për qind të anëtarëve të parlamentit dhe 35 për qind të këshilltarëve vendorë.

Të dhënat nga UN Women sugjerojnë se pothuajse 60 për qind e grave shqiptare të moshës 15-49 vjeç kanë përjetuar dhunë në familje.

Dhe Baza e të Dhënave të Trupave të Traktatit të OKB-së zbulon se vetëm tetë për qind e grave zotërojnë tokë dhe mbeten të margjinalizuara në çështjet e trashëgimisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore