Shqipëria

Baza e Kuçovës gati për inaugurim, me rëndësi kyçe në operacionet e NATO-s


E hëna e 4 marsit do të shohë edhe hapjen zyrtare të bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, e cila pritet të jetë me rëndësi kyçe sa i takon operacioneve që mund të zhvillojë aleanca e Atlantikut të Veriut në rajon dhe më gjerë.

Punimet e fundit për hapjen e bazës janë kryer në këto muaj dhe ajo tashmë do të hapet zyrtarisht dhe do të nisë funksionimin.

Hapat e ardhjes deri në këtë pika, i ka shpjeguar Gjeneral brigade Ferdinand Dimo.

Sipas Dimos, ka qenë vendimmarrja e shtetit shqiptar dhe e NATO-s në vitin 2018 për ta kthyer këtë bazë në një bazë taktike të Aleancës, ndërsa më 4 mars të këtij viti ajo është plotësisht efektive.

“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të tre projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës”.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare, siç sqaron vetë komandanti.

Teksa, lidhur me funksionet, ai ka theksuar se trupat e Forcës Ajrore do të stërviten në këtë bazë.

“Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”, përmend ai.

Baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë qarkut të Beratit. “Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e qarkut të Beratit”, shprehet Gjeneral brigade Ferdinand Dimo.

Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka përmendur më herët se baza do të shërbejë edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.

Në relacionin teknik të projektit, ministria ka sqaruar se ndërtimi i hangarëve dhe mjediseve për mirëmbajtjen, riparimin dhe testimin në bazën ajrore të Kuçovës ishte parashikuar që në planin buxhetor 2023.

“Hangarët e rinj që do të ndërtohen janë objekte të rëndësisë së veçantë. Projekti ‘Ndërtim i infrastrukturës së nevojshme për UVA në bazën ajrore, Kuçovë’ është duke u bërë duke pasur parasysh kushtet teknike dhe zbatimin e akteve ligjore të nevojshme për sigurinë”.

Baza ajrore e Kuçovës u ndërtua në vitet 1950 për të pritur avionët e Forcave Ajrore Shqiptare.

Ajo u rikthye në vëmendje viteve të fundit me një investim të mbështetur nga NATO ku Shqipëria u anëtarësua në vitin 2009.

Në fazën e parë të modernizimit të kësaj baze u llogaritën investime prej 50 milionë eurosh.

Kontributi i palës shqiptare llogaritet në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore