Sport

Bayern përgatit ofertën e dytë për Kane


Bayern Munich do të bëjë një ofertë të përmirësuar afër 70 milionë funte (mbi 80 milionë euro) për Harry Kane.

Megjithatë, duket se as oferta e re nuk do të pranohet nga Tottenham-i, duke mos lejuar shitjen e sulmuesit të tyre që do të kthehet në stërvitje përpara se ekipi të niset për turneun parasezonal që do ta zhvillojnë në Australi, Tajlandë dhe Singapor.

Bayern Munich nuk kanë ofruar ende më shumë se 56 milionë funte (70 milionë euro), të cilat nuk do të jenë të mjaftueshme për të bindur presidentin e Tottenham-it, Daniel Levy, për ta shitur edhe pse Kane mbush 30 vjeç këtë muaj dhe ka vetëm një vit të mbetur nga kontrata e tij.

Pra, oferta e dytë do të jetë 70 milionë funte, derisa raportohet se ky është maksimumi që gjermanët do të ofrojnë për lojtarin që verën e ardhshme mund të mbetet agjent i lirë – megjithëse ata do të përballen me një sfidë shumë më konkurruese për ta transferuar.

Trajneri i bavarezëve, Thomas Tuchel, thuhet se e ka vendosur si prioritet numër një transferimin e Kane, një sulmues që mund ta mbulojë mirë boshllëkun e krijuar nga Robert Lewandowski.

Edhe pse fituan Bundesliga-n, ata e bënë këtë vetëm në ditën e fundit të sezonit, u mundën nga Manchester City në çerekfinalen e Champions League dhe në një fazë dukej sikur e përfundonin sezonin pa trofe për herë të parë që nga viti 2012.

Bayern së fundmi përfundoi transferimin prej 50 milionë të qendërmbrojtësit të Napolit, Kim Min-Jae dhe gjermanët dëshirojnë që edhe çështja e qendërsulmuesit të zgjidhet shpejt.

Tuchel ka rritur fuqinë e tij që nga largimi i drejtorit sportiv Hasan Salihamidzic dhe Kane është zgjedhja e tij e preferuar, që do të thotë se klubi do të bëjë përpjekje të mëtejshme për të nënshkruar me të.

Qëndrimi i Tottenham-it mbetet se ata nuk duan të shesin sulmuesin dhe nuk kanë shpresë që ai të largohet, me një vit të mbetur në marrëveshjen e tij.

Ata do të preferonin të zgjasin marrëveshjen e tij, por do të duhet qartë një ofertë e madhe, me gjasë përtej asaj që do të ofrojë Bayern, për t’i bindur ata të shesin këtë verë.

Tuchel kuptohet se e ka bindur lojtarin dhe familjen e tij për meritat e të luajturit në Munih dhe klubi padyshim që do të sigurojë që Kane, gruaja Katie dhe tre fëmijët e tyre të integrohen në komunitetin më të gjerë të Bayern-it me shkolla, shtëpi, gjuhë dhe mbështetje praktike.

Në anën tjetër, Bayern do të luajë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Tottenham-i nuk do të jetë, si dhe golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares së Anglisë do të ketë ndonjë mundësi që të fitojë ndonjë trofe për herë të parë në karrierën e tij.

Bayern e nis fushatën e tyre në Bundesliga më 18 gusht dhe ka bërë garë për Kane këtë verë, të vetëdijshëm se Spurs nuk dëshirojnë ta shesin atë në një klub të Premier Leauge-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore