Sport

Bayern lë të hapur opsionin e largimit të Sule-s


Qendërmbrojtësi gjerman i Bayern Munich-ut, Niklas Sule, ka edhe një vit kontratë me kampionët e gjermanisë. Klubi dëshiron që ta rinovojë kontratën me mbrojtësin, por pa ndryshuar shumë shifrat aktuale.

Bayern-i në fundin e sezonit aktual do të mbetet pa David Alaba-n, por rrezikon të mbetet edhe pa Sule-n. Për të cilin ka interes të shtuar nga disa klube, mes të cilave edhe Chelsea.

Sule ka kontratë deri në qeshorin e 2022 dhe klubi e dëshiron rinovimin, por gjithashtu, nuk dëshiron të bëjë shumë ndryshime në pagën e lojtarit, pas investimit 42 milionësh (euro) për të marrë shërbimet e Dayot Upamecano-s.

“Ne duam të kemi lojtarë të mirë nga Kombëtarja gjermane te Bayern-i. Niklas ka akoma dhe një vit kontratë. Ne do të bisedojmë dhe do të shohim se ku do të na çojnë ato. Do e marrim me qetësi dhe seriozitet”, tha Karl-Heinz Rummenigge, i cili paralajmeroi se koronavirusi kishte shkaktuar probleme ekonomike te bavarezët.

“Duke patur parasysh klubet që janë pas Sule-s, nuk do të jetë e lehtë të arrihet një marrëveshje. Nëse gjejmë një zgjidhje do të jemi shumë të lumtur të zgjasim kontratën, por kjo do të jetë e mundur vetëm në kushte të caktuara”, shtoi Rummenigge.

Dhe këtu janë Chelsea dhe Thomas Tuchel-i. Trajneri gjerman ishte gjithashtu i interesuar për Upamecano-n dhe pasi e mori Bayern-i, do të tentojë të bindi Sule-n, i cili mund të largohet këtë verë për shifrën e 38 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore