Sport

Bayern-i kërkon Osimhen-in, i ofron Napolit Mane-n


Sulmuesi i Napolit, Victor Osimhen, është një nga futbollistët më të kërkuar nga të gjitha klubet e mëdha evropiane.

Së fundmi, në garë për sulmuesin nigerian ka hyrë edhe skuadra e Bayern Munich, por duket se oferta e tyre është “qesharake” në krahasim me pretendimet e napolitanëve.

Sipas asaj që shkruajnë mediat gjermane, Bayern mendon t’ia ofrojë Sadio Mane-n Napolit, në këmbim të sulmuesit kryesor të tyre.

Megjithatë oferta e bavarezëve vështirë se josh Aurelio De Laurentiis, pasi bosi napolitan kërkon para kesh dhe për më tepër, nuk dëshiron të afrojë në skuadër një futbollist si Mane, që ka pagë mjaft të lartë.

Sadio Mane i cili u transferua me bujë të madhe në Bavari, nuk ka zhvilluar sezonin e tij më të mirë.

Paga e lartë për klubin, si dhe konflikti midis tij dhe Leroy Sane janë disa prej arsyeve që e shtyjnë klubin gjerman të largojë Mane-n nga klubi.

Ndërkaq, sa i përket Osimhen-it, raportet thonë se për shërbimet e tij Napoli kërkon të paktën 150 milionë euro.

Më herët u raportua që PSG ishte e gatshme ta paguajë këtë shumë në afatin kalimtar të verës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore