Sport

Bastet: Xhaka dyshohet se bashkëpunon me mafien shqiptare dhe ish-sulmuesin e Vllaznisë të dënuar për trukime


Hetuesit në Britaninë e Madhe që po merren me ngjarjen në të cilën është përfshirë ylli shqiptaro-zviceran i Arsenal-it, Granit Xhaka, i cili u ndëshkua me karton të verdhë tërësisht të panevojshëm në përballjen ndaj Leeds në Premier League kanë nxjerrë detaje të reja.

Në dosjen e hetuesve tashmë janë të përmendur mafia shqiptare dhe një ish-futbollist profesionist shqiptaro-suedez që është dënuar më parë për trukim ndeshjesh.

“Sportsmail” zbuloi në qershor se hetimi i Federates Angleze (FA) për kartonin e verdhë të çuditshëm të Xhakës, për humbje kohe, dhjetorin e kaluar iu kalua Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA). Kjo e fundit drejton luftën e Britanisë së Madhe kundër krimit të rëndë dhe të organizuar.

Hetimi i FA u shkaktua nga modele të dyshimta bastesh që u shfaqën në fund të fitores 4-1 të Arsenal-it në “Elland Road”, me 52 mijë paund të vendosura që Xhaka ndëshkohet me karton në 10 minutat e fundit të lojës.

Xhaka u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari, Andre Marriner, në minutën e 86-të pasi vonoi të ekzekutonte një goditje dënimi, pavarësisht se Arsenali po fitonte 4-1 dhe kishte kontroll të plotë të lojës.

Pamjet video të incidentit tregojnë mesfushorin duke qëndruar mbi topin në gjysmëfushën e tij për rreth 20 sekonda përpara se të ndëshkohej.

Sipas raportimeve te “Sportmail”, NCA ka thënë për median britanike se janë zbuluar prova të shumave të konsiderueshme të basteve të vendosura me kriptovaluta.

Por, ato janë vendosur në tregje të cilet nuk janë të rregulluar. Gjithashtu mendohet se një pjesë e mirë e aktivitetit ka ndodhur në Shqipëri.

NCA gjithashtu po heton pretendimet se shqiptaro-suedezi, Alban Jusufi, i dënuar për trukim ndeshjesh në 2017 nga një gjykat në Suedi, ka bërë shuma të mëdha duke vendsur bast që Xhaka të ndëshkohej.

41-vjeçari gjatë sezonit 2008-09 provoi të vishte dhe fanellën e Vllaznisë së Shkodrës në Shqipëri.

Ai u shpall fajtor në vitin 2017, për korruptimin e portierit të AIK-ut, Kyriakos Stamatopoulos, me 150 mijë paund për të mos performuar mire, përpara një derbi kundër IFK Gothenburg.

Xhaka, i cili pritet të luajë për Arsenal-in përballë Crystal Palace të premten mbrëma, ka lindur në Basel dhe luan për Zvicrën, por është krenar për rrënjët e tij shqiptare.

Vëllai i tij më i madh Taulanti bëri 31 paraqitje për kombëtaren kuqezi.

Megjithatë, hetimet vazhdojnë, por jo domosdoshmërisht Xhaka mund të jetë i përfshirë. Të paktën deri në përfundimin e tyre dhe nxjerrjen e një versioni përfundimtar të ngjarjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore