Shqipëria

Bashkimi brenda të djathtës, dy akte mund t’u japin fund dilemave


Partia Demokratike dhe ngërçi i saj janë tashmë të ditur dhe me një rrugëdalje të largët nga errësira ku gjenden në dy vitet e fundit.

Me zgjedhjet e përgjithshme vetëm një vit larg, duket se mazhoranca tejet e konsoliduar do të shkojë drejt një mandati të katërt historik dhe një të treti si e vetme, me problemet e saj të lidhura me korrupsionin, por pa një opozitë të aftë për ta ndëshkuar lidhur me këto rrethana.

Megjithatë, ditët e fundit mund të jenë vendimtare për të djathtën shqiptare, e cila ideologjikisht duket larg liderit juridik të saj, Lulzim Basha, i cili gëzon vulën, por jo numra domethënës brenda saj.

Kupola demokrate mbetet ngushtësisht e lidhur me Sali Berishën, por me këtë të fundit në arrest shtëpiak dhe me një hetim që rëndon mbi supe, duket i largët edhe kandidimi i tij direkt për pozitën e kryeministrit.

Halli i përbashkët gjithsesi i ka mbledhur disa herë demokratët në javët e fundit dhe prej javës tjetër mund të ketë lëvizje edhe më domethënëse.

Të tilla pritet të jenë disa ndryshime statutore, të cilat do të synojnë shkrirjen brenda strukturës së bazës të atij, i cili ende etiketohet si “Rithemelimi”.

Një takim paraprak është mbajtur me disa eksponentë, duke përmendur sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka, Nënkryetarët Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi si dhe kreu i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

Me “bekimin” e Berishës, do të synohet shkrirja strukturore me grupin Bardhi…edhe juridikisht.

Disa ndryshime statutore pritet të ndërmerren të martën e 5 marsit, për t’i kaluar më pas për miratim Këshillit Kombëtar.

Një prej ndryshimeve, do të jetë ai i pozitës së kryetarit të Grupit Parlamentar (aktualisht Gazment Bardhi), i cili do të mbajë automatikisht pozitën e nënkryetarit të partisë. Në këto kushte kjo do ta bënte automatikisht Bardhin nënkryetar të Rithemelimit.

Një tjetër ndryshim lidhet me pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, i cili sipas traditës propozohet nga opozita. Në këtë rast, do të kërkohet që edhe kjo figurë të jetë në pozitën e nënkryetarit të partisë, ku sipas rolit të tanishëm, do t’i takojë Agron Gjekmarkajt, i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit.

Kësisoj, pritet që Rithemelimi të ketë në tërësi katër nënkryetarë, dy prej të cilëve e fitojnë pozitën prej postit që mbajnë në Parlament.

Megjithatë, nga grupi i Rithemelimit po kërkohet edhe diçka tjetër, lidhur me deputetët ende të pavendosur në rreshtimin brenda të djathtës.

Një ofertë pritet të shkojë ndaj Jorida Tabakut nga ana e Flamur Nokës, i cili në javët pas arrestimit të Berishës, është kthyer në zërin kryesore të këtij fraksioni.

Tabaku, larg Berishës aktualisht, por edhe larg Bashës, mund të marrë një propozim për të qenë anëtare e Kryesisë së Rithemelimit.

Tabaku nuk do të jetë e vetmja gjithsesi, pasi oferta të tilla pritet të shkojnë edhe kundrejt Ferdinand Xhaferrit, Helidon Bushatit, Dhurata Çupit, apo Ervin Salianjit.

Çështja e vërtetë mbetet nëse do të pranohet ky bashkim më i zgjeruar apo jo.

Dhe tjetra, edhe më thelbësore: Po me grupin e minimizuar Basha, çfarë do të bëhet?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore