Lajme

Bashkëshorti i mësueses që u qëllua në Texas, humb jetën nga një atak në zemër


Bashkëshorti i një prej mësuesve të vrarë në të shtënat masive të së martës në Uvalde, Texas, thuhet se ka vdekur nga një atak në zemër.

Joe Garcia ishte burri i Irma Garcia, e cila dha mësim për 23 vjet në shkollën fillore Robb.

Garcia ishte një nga dy mësueset e vrarë nga një adoleshent i armatosur në të shtënat që lanë të vdekur 21 persona, përfshirë 19 fëmijë.

Çifti, i cili ishte i martuar prej 24 vitesh, ka lënë pas katër fëmijë – dy djem dhe dy vajza – nga 12 deri në 23 vjeç.

Pas të shtënave vdekjeprurëse në Uvalde, Garcia u gjet nga oficerët “duke përqafuar fëmijët në krahët e saj deri në frymën e saj të fundit”.

Garcia dhe mësuesja tjetër e vrarë në të shtënat, Eva Mireles, kishin dhënë mësim së bashku për pesë vjet dhe kishin më shumë se 40 vjet përvojë mes tyre.

Ngjarja

Disa ditë më parë, një adoleshent i armatosur vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur pasi sulmoi një shkollë fillore në Texas.

Ky ishte sulmi më i fundit i vrasjeve masive me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara dhe të shtënat me bilancin e rëndë në një shkollë, që nga Sandy Hook një dekadë më parë.

Masakra filloi kur i dyshuari 18-vjeçar, i identifikuar si Salvador Ramos, qëlloi gjyshen e tij, e cila është në gjendje kritike.

Policia tha se ai u largua nga ajo skenë dhe përplasi makinën e tij pranë shkollës fillore Robb në Uvalde, një qytet rreth 80 milje (130 km) në perëndim të San Antonio.

Atje ai nisi “të gjuajë me tërbim” deri kur u vra, pasi u qëllua nga policia.

Viti shkollor duhej të përfundonte të enjten.

Oficerët e zbatimit të ligjit “pikasën” të dyshuarin kur e panë të dilte nga automjeti i tij i përplasur duke mbajtur një pushkë dhe një pistoletë.

Por personi i armatosur megjithatë arriti të futej në ndërtesën e shkollës dhe të hapte zjarr.

Ai kishte veshur parzmore dhe kishte lënë të kuptohet në mediat sociale për një sulm të ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore