Kosova

Bashkëpunëtori i ish-presidentit tregon pse shteti shqiptar e përgjonte Ibrahim Rugovën


Ilustrim

Në arkivat e shtetit shqiptar ekziston edhe një dosje e viteve 80-ta, me kategorizimin ndjekje në të cilën shënon një emër – Ibrahim Rugova.

Bëhet fjalë për presidentin e Kosovës dhe udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atë e ndiqte, vëzhgonte dhe monitoronte shërbimi sekret komunist i Shqipërisë. U zbulua vetëm këtë vit, kur në të hasi duke kërkuar në arkiva, gazetari Blendi Fevziu.

Por, pse “ndjekej” Rugova?

Për Muhamet Hamitin këshilltarin dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të tij, Rugova sa ishte studiues dhe kritik letrar ishte vënë në shënjestër si kundërshtar i dogmës së realizmit socialist në Shqipëri dhe mu për këtë arsye ishte përgjuar nga sigurimi i Shtetit Shqiptar.

Edhe pse ish-kryetari i LDK-së, shpjegon Hamiti për Albanian Post, nuk e ka diskutuar këtë temë personalisht me të, përgjimi i tij nga sigurimi i Shtetit Shqiptar, ka qenë një “sekret publik”, pasi ai ishte i padëshirueshëm për regjimin.

“Ekzistenca e kësaj dosjeje dihet nga vitet 2000. Ata e kanë përcjellë dhe dosja e arkivit të Sigurimit të Shtetit shqiptar e dëshmon një gjë të tillë, përveç Rugovës të përgjuar kanë qenë edhe shkrimtarët e tjerë nga Kosova”, tregon Hamiti për Albanian Post.

Sipas ish-diplomatit kosovar, regjimit socialist në Shqipëri në krye me Enver Hoxhën, nuk i ka pëlqyer stili dhe qasja pro-perëndimore e shumicës së shkrimtarëve të Kosovës në përgjithësi dhe në veçanti e Rugovës, pasi ai nuk i përkiste korpusit të studiuesve shqiptarë që mbështesnin krijimtarinë e realizmit socialist.

“Regjimi komunist, ka pasur problem me shkrimtarët shqiptarë për shkak të ideologjisë dhe në veçanti me Rugovën, sepse ka qenë studiues letrar shumë i njohur me orientim perëndimor”, ka deklaruar ai.

Muhamet Hamiti dhe Ibrahim Rugova

Anëtari i LDK, më tej për Albanian Post, ka nënvizuar faktin se Rugova përveç Sigurimit të Shtetit të kohës së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, ka qenë i përgjuar edhe nga Sigurimi Shtetëror i federatës Jugosllave, “UDBA”.

Ibrahim Rugova, si studiues i letërsisë, dy herë kishte vizituar Shqipërinë, herën e parë gjatë viteve 1970-të, ndërsa herën e dytë në fillimit të vitit 1980.

“Ibrahim Rugova ka udhëtuar për në Shqipëri për të bërë studime për kritikën letrare, sepse ka qenë duke punuar për temën e doktoratës dhe librin e tij për Bogdanin, dhe Sigurimi Shtetëror e ka përcjellë”, pohon Hamiti.

Ndryshe, gazetari dhe autori i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu, disa ditë më parë pati lajmëruar për gjetjen e dosjes së sigurimit të Shtetit Shqiptar, ku bëhej ditur se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ishte përgjuar për 20 vjet.

Sipas tij, dosja e marrë nga ai është një dosje ndjekjeje e periudhës 1980-1984.

“Në Arkivat e Sigurimit te shtetit gjendet dosja me dokumentet se si për 20 vjet Sigurimi i Shtetit komunist përgjoi Ibrahim Rugovën në Kosove dhe në dy vizitat ne Shqipëri”, kishte treguar Blendi Fevziu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore